Qeveria britanike nuk do të kundërshtojë kërkesën e ICC-së për urdhërarrestin e Netanyahut

Qeveria e re Laburiste ka hedhur poshtë planin konservator për të vënë në pikëpyetje kërkesën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për urdhërarrestin e Benjamin Netanyahut, sipas “Telegraph”.

Downing Street nuk do të kundërshtojë kërkesën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) për urdhërarrestin e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të Izraelit.

“Qeveria nuk do ta çojë përpara propozimin e administratës së mëparshme”, tha Downing Street.

Qeveria e Rishi Sunak i kishte thënë ICC-së se synonte të paraqiste argumente që pyesnin nëse ICC kishte të drejtë të urdhëronte arrestimin e shtetasve izraelitë.

“Urdhërarresti është një çështje për të cilën duhet të vendosë gjykata”, tha Downing Street.

Karim Khan, prokurori i ICC-së, në maj kërkoi urdhërarrestin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant lidhur me luftën e Izraelit në Gazë.

Por, Sunak në atë kohë e përshkroi masën si “të padobishme”, duke shtuar se nuk do të bënte absolutisht asnjë ndryshim në arritjen e një pauze në luftime ose në dërgimin e ndihmës në Gazë apo lirimin e pengjeve.

Gjykata i kishte dhënë afat qeverisë britanike deri të premten për të vendosur nëse do të ndiqte apo jo propozimin e saj ligjor.

“Ky ishte një propozim nga qeveria e mëparshme, i cili nuk u dorëzua para zgjedhjeve, dhe të cilin mund ta konfirmoj se qeveria nuk do ta ndjekë në përputhje me qëndrimin tonë të gjatë se kjo është një çështje per te cilen duhet te vendose gjykata”, tha një zëdhënës i Downing Street.