Siguria në sezonin turistik, 10 të proceduar në Shkodër

Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka proceduar penalisht 10 persona. Të proceduarit janë evidentuar nga forcat e rendit, duke kryer aktivitet turistik në kundërshtim me ligjin.

Policia e Shkodrës bën të ditur se 8 nga të proceduarit u evidentuan duke transportuar me mjete lundruese, nga diga e Komanit drejt lumit të Shalës, vizitorë dhe turistë, pa plotësuar kushtet e nevojshme për sigurinë e tyre, dhe pa u pajisur me dokumentacionin përkatës për ushtrimin e këtij aktiviteti.

“Për këto raste, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko dhe Financiare, kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: N. K., 43 vjeç, L. M., 39 vjeç, S. M., 28 vjeç, K. M., 43 vjeç, P. N., 43 vjeç, M. K., 67 vjeç, J. Gj., 27 vjeç, dhe K. N., 54 vjeç”, njofton Policia e Shkodrës.

Ndërsa dy nga të proceduarit po ushtronin aktivitetin e hotelerisë pa u regjistruar në zyrën e tatimeve.

“R. C., 69 vjeç dhe N. Sh., 63 vjeçe, të dy banues në Velipojë, pasi ushtronin aktivitetin në subjektet (hotelet) e tyre, në Velipojë, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës dhe pa u regjistruar në organet tatimore. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i Policisë së Shkodrës.

Policia e Shkodrës fton qytetarët dhe turistët që për çdo rast nevoje për ndihmë dhe për çdo rast paligjshmërie që konstatojnë, të telefonojnë/denoncojnë në numrin pa pagesë 112.