Hetimi për “21 janarin”/ Ish kreu i Gardës mbi 3 orë në SPAK: Vij sa herë të më thërrasin
Ish-komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi, u paraqit këtë të martë në SPAK ku sipas burimeve u mor në pyetje në kuadër të hetimit për ngjarjet e 21 Janarit 2011, kur gjatë një proteste të thirrur partia Socialiste atëkohë në opozitë u vranë 4 protestues dhe u plagosën disa të tjerë.
Pas më shumë se 3 orë para prokurorëve të Posaçëm, ish kreu i gardës në atë kohë, nuk pranoi të konfirmojë se u pyet për 21 janarin, por tha se është i gatshëm të paraqitet sa herë ta thërrasin edhe për këtë dosje.
Në 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët janë shpallur nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.
Në vitin 2013, Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi me 1 vit burg ish-komandantin e Gardës së Republikës në 21 janar 2011, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite burg. Ata u shpallën fajtorë për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” për vrasjet e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit.
Por vrasja e Aleks Nikës mbeti pa autor dhe SPAK u detyrua të nisë një hetim, pas vendimit të Gjykatës së Lartë dhe asaj të Strasburgut, pas ankimimeve të familjarëve të tij.
Prokuroria regjistroi hetimet për 3 vepra penale nga vrasja në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, akuza
Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Bashkëshortja dhe xhaxhai i Nikës, pasi dëshmuan në SPAK të hënën, thanë për mediat se vrasjet e 21 janarit ishin krim shtetëror për të cilin duhet dënuar I gjithë zinxhiri komandues i kohës nga garda deri në qeveri.
