Ibrahimoglu e mbyll me Egnatian, udhëton që sot drejt Turqisë

Melih Ibrahimoglu luajti ndeshjen e fundit me Egnatian. Sulmuesi do të vijojë karrierën në Superligën e Turqisë, ku do të bëhet pjesë e Koyasporit.

Sulmuesi 24-vjeçar u afrua gjatë merkatos së janarit, duke treguar cilësi.

Paraqitja në 28 ndeshjet me rrogozhinasit kanë bindur drejtuesit e klubit nga Konya që t’i bëjnë vend në skuadër sulmuesit turk, i cili do të firmosë një kontratë 3-vjeçare.

Pasi u arrit marrëveshja, klubi i dha leje Ibrahimoglusë që të luante dhe dy ndeshjet e turit të parë të Champions me Egnatian përballë Borac Banja Lukas, por pavarësisht dëshirës dhe kontributit të turkut, rrogozhinasit u eliminuan pas goditjes së 11 metërshave.

24-vjeçari shënoi golin e parë të ndeshjes, ndërsa ishte dhe i vetmi që arriti të shënonte nga skuadra e Edlir Tetovës nga pika e bardhë e penalltive.

Me Egnatian, Ibrahimoglu shënoi 5 gola dhe dha 2 asiste, ndërkohë që rrogozhinasit pritet që të përfitojnë 350 mijë euro nga transferimi i tij.

Egnatia vijon me strategjinë e saj, duke shitur lojtarë, diçka e kthyer në praktikë çdo merkato nga drejtuesit rrogozhinas.

Por, në anën tjetër skuadra humbet cilësi, teksa ka vetëm pak ditë në dispozicion para ndeshjes me Vikingur për të gjetur zëvendësuesin e tij.