Lajm i mirë për shqiptarët! Britania e Madhe do të japë azil për 90 mijë emigrantë
90,000 emigrantë të caktuar më herët në listat për deportim në Ruanda, me ardhjen e Laburistëve në pushtet do të kenë mundësinë për të përfituar azil me procedurë të përshpejtuar në Britani.
Britania e Madhe ka vendosur që të ofrojë azil për 90,000 emigrantë që ishin caktuar për deportim në Ruanda nëse Partia Laburiste fiton zgjedhjet. Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper do të prezantojë një legjislacion të ri që do të fillojë një procedurë të përshpejtuar për shqyrtimin e kërkesave për azil të atyre që ishin në rrezik të deportoheshin.
Këshilli i Refugjatëve vlerëson se do t'u jepet azil rreth 90,000 emigrantëve, pavarësisht se kanë hyrë ilegalisht në Britani, 36,000 prej të cilëve jetojnë aktualisht në hotele që i kushtojnë taksapaguesve britanikë 2.9 milionë paund në ditë.
The Telegraph nënvizon se zyrtarët pritet t'u japin përparësi azilkërkuesve nga vendet të cilësuara “të sigurta” si Vietnami, Shqipëria, Egjipti dhe India, që përbëjnë edhe 30% të shifrës së përgjithshme të azilkërkuesve.
Gazeta gjithashtu kupton se masa nuk do të kërkojë ndonjë ndryshim në Aktin e Migrimit të Paligjshëm të Rishi Sunak, i cili u miratua vitin e kaluar.
Kjo për shkak se ish-kryeministri nuk aktivizoi kurrë dy elementë të aktit - që çdo kërkesë për azil e bërë në 18 muajt e fundit do të konsiderohej e papranueshme dhe ato më pas do të deportoheshin në Ruandë - gjë që do të kishte penguar zbatimin e planeve të Laburistëve.
Lajmi për planin e qeverisë Laburiste vjen vetëm disa orë pasi një emigrant vdiq sepse një gomone u fundos teksa përpiqej të kalonte Kanalin Anglez.
Ndërkohë ju rikujtojmë se kryeministri shqiptar Edi Rama ndodhet sot në Britaninë e Madhe për të marrë pjesë në takimin e radhës së Komitetit Politik Evropian mes liderëve të BE-së ku do të flitet edhe për emigracionin e paligjshëm.
Në fokus të diskutimeve të liderëve evropianë do të jetë lufta në Ukrainë, siguria dhe demokracia, ndërsa për herë të parë kjo mbledhje do të drejtohet nga kryeministri i ri Britanik Keir Starmer, i cili do të mbajë edhe fjalën hapëse.
Do të jenë 2 tryezat e rrumbullakëta që do të mbahen në këtë takim; një për emigracionin e paligjshëm që do të bashkëdrejtohet nga Giorgia Meloni dhe Kryeministri Rama; dhe një tjetër për mbrojtjen dhe sigurimin e demokracisë që do të bashkëkryesohet nga Presidenti Charles Michel dhe Presidenti malazez Jakov Milatoviç.
Sipas The Guardian, veç vendeve të Bashkimit Evropian do të jetë të ftuar edhe shtete jo anëtare të Unionit si Norvegjia, Islanda, Gjeorgjia, Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Turqia, por Presidenti Turk Rexhep Taip Erdogan nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen.
