Von der Leyen drejt mandatit të dytë: Zgjerimi do të jetë prioritet, do forcojmë mbrojtjen europiane

Ursula von der Leyen, pritet të zgjidhet të enjten edhe për një mandat 5 vjeçar në krye Komisionit Europian. Asaj do t’i duhen të paktën 361 vota nga 720 deputete në parlamentin europian.

Në prag votimit, von der Leyen shpalosi prioritetet për mandatin e saj të ardhshëm duke përfshirë edhe procesin e zgjerimit të bllokut evropian.

Ajo tha se në një botë ku ekzistojnë fuqitë e mëdha, një BE më e fortë dhe më e zgjeruar, i jep Evropës  peshë më të madhe në skenën globale.

Von Der Leyen përsëriti se procesi i zgjerimit do të mbetet i bazuar në meritat individuale të atyre që duan të bëhen pjesë e BE-së.

Pasi u zotua për të mbështetur Ukrainën për sa kohë që të nevojitet në luftën kundër pushtuesit rus, Von Der Leyen tha se liria e Europës ishte rrezik dhe se duhej të investohej më shumë në mbrojtje.

Ajo premtoi të ndërtojë një "Bllok të vërtet të mbrojtjes europiane’’,me projekte të mbrojtjes ajrore dhe kibernetike.