Eksportet arritën 199 miliardë lekë gjatë gjysmës së parë të vitit
Eksportet e mallrave llogariten 199 miliardë lekë gjatë gjysmës së parë të vitit. INSTAT publikoi raportin e tregtisë së jashtme për periudhën janar-qershor.
Në raport evidentohet se eksportet për këtë periudhë janë 14.9 % më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit.
Ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 440 miliardë lekë, duke u rritur me 0.3 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 241 miliardë lekë, duke u rritur me 17.9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.
Referuar raportit, grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë “tekstile dhe këpucë” me 5.4 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 5.2 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 2.2 pikë përqindje, etj.
Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 2.8 pikë përqindje, “ushqime, pije, duhan” me 1.3 pikë përqindje, etj.
Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1.7 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me 1.3 pikë përqindje, “produkte kimike dhe plastike” me 0.4 pikë përqindje, etj.
