Shiu u vjen në ndihmë zjarrfikësve në Dropull
Në ndihmë të zjarrfikësve dhe forcave të emergjencave civile në përballje me flakët në Dropull ka ardhur dhe shiu.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili sot ka qenë pranë forcave zjarrfikëse dhe emergjencave civile, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga momentet e fillimit të shiut.
“Shiu filloi mbi Dropull”, shkruan Balla.
Më herët, Balla për mediet tha se “ky është zjarri më i madh që kemi pasur në shumë vite, i favorizuar për shkak të terrenit, por edhe erës, e cila ka bërë shpërndarjen e këtij zjarri në një gjatësi tepër të madhe duke përfshirë pothuajse 3 bashki, deri në momentin që flasim, por që era që fillon tani pasdite dhe gjatë natës, do të vazhdojë të mbajë aktive disa prej vatrave të këtij zjarri”.
Ai nënvizoi faktin se për izolimin e flakëve janë përfshirë të gjitha strukturat, jo vetëm të shërbimit zjarrfikës të nivelit të bashkive, por edhe të bashkive të tjera që kanë ardhur në ndihmë, nga qarku i Vlorës, Fieri, e që janë bërë gati të nisen edhe nga Berati, edhe nga Tirana.
Balla bëri me dije se helikopterët e ushtrisë të Forcave të Armatosura do të vijojnë të bëjnë fluturimet për fikjen e zjarrit dhe ndërkohë do të kërkohet edhe mbështetja nga mekanizmi europian i emergjencave.
