E padëgjuar më parë, kanosje me kumbulla e Suko, merret i pandehur Dragoviçi i Elbasanit

Dy qese me kumbulla jeshile dhe një Suko dardhe, të dërguara nga Ervis Daka alias Dragoviç në adresën e të paraburgosurit për drogë, Xhafer Deliu në Bradashesh, është bërë shkak për arrestimin dhe marrjen të pandehur për akuzën e “Kanosjes për deklarime apo ekspertim dhe përkthim të rremë” të shtetasit Ervis Dragoviç.

Vendimi për marrjen të pandehur të Ervis Dragoviçit në Elbasan, është marrë nga prokurorja e çështjes Ermira Manelli, e cila tashmë ka dërguar dosjen penale me Nr.494 në gjykatën e qytetit, duke kërkuar gjykimin e kësaj çështje.

Ndërkohë prokurorja Manelli ka kërkuar pushimin e akuzës së “Kanosjes për të mos kallëzuar” vepër penale kjo që ishte ngritur ndaj Dragoviçit gjatë fazës së hetimeve paraprake.

Dragoviç, ka hyrë në këtë proces gjyqësor me procedurën e gjykimit të shkurtuar ku prokurorja tashmë ka lexuar dhe pretencën.

Çështja po gjykohet nga gjyqtari Yrfet Shkreli dhe pritet që në ditët të jepet një dënim përfundimtar për këtë person.

“Ora News” ka mësuar se veprimi i Dakës, për dërgimin e kumbullave brenda në ambientet e burgut të Bradasheshit, është kryer në 8 Maj 2023, ku Daka është paraqitur në mesditë në ambientet e këtij burgu, duke i lënë njërin prej punonjësve të policisë, dy qese me kumbulla jeshile dhe një suko dardhe, me qëllim që t’ia çonte Xhafer Deliut dhe Arben Saphiut në qeli.

Sipas akuzës në kohën kur ka mbërritur mesazhi kërcënues përmes kumbullave jeshile, Xhafer Deliu, vuante dënimin në sektorin B, të katit të 2 në dhomën Nr.5 pranë burgut të Bradasheshit në Elbasan.

Në dosjen hetimore të siguruar nga “Ora Neës” thuhet se këtë dhomë Deliu, e ndante me Arben Spahiun, kunatin e të penduarit Erjon Alibej, Rigers Spahiun, që janë dy vëllezërit e Arjan Spahiut të vrarë në Belgjikë, Luis Gaxha të arrestuar për arsenalin e armëve që u gjet në çatinë e shtëpisë dhe një person nga Librazhdi, Darlino Çuçuli.

Xhafer Deliu, u arrestua në Tetor 2022 dhe po vuan burgimin për akuzën e shitjes së drogës, “Dhunës në familje” dhe “Largim nga vendi i qëndrimit të caktuar nga gjykata”.

Lidhur me këtë kërcënim me mesazh të koduar nga Ervis Daka, kanë paraqitur menjëherë kallëzim penal Arben Spahiu, kunati i Erjon Alibej tashmë bashkëpunëtor i SPAK-ut dhe Xhafer Deliu, kushëriri i tij.

Në kallëzimin që ka paraqitur në polici Arben Spahiu ka treguar se:

“…në 8 Maj 2023 shokut tim të dhomës dhe njëkohësisht kushëririt, Xhaferr Deliu, i kanë ardhur dy qese kumbulla dhe një bidon uji boshatisur me dy gisht lëng me ngjyrë kremi. Xhaferri, nuk priste porosi nga shtëpia dhe kur ka hapur qesen me kumbulla, ka parë që ja ka sjellë Ervis Daka, pasi ishte e shkruar në letër. Xhaferri, e njeh si person por nuk ka shoqëri me Dakan. Por ne e dimë që ky person rri në Dubai me personat që në kemi hasmëri. Dyshojmë që mund të jetë ndonjë mesazh nga ata ose kumbullat, mund të kenë diçka që mund të na dëmtojnë…".

Sipas tij personat që kanë hasmëri janë: Hajdar Çopja, Franc Çopja dhe Mikel Kamami.

“…Mikeli është shoku i ngushtë i Ervisit, që na dërgoi dy qeset me kumbulla sot…”-ka deklaruar Arben Spahiu.

Për këtë ngjarje është marrë në pyetje dhe vëllai i Arbenit, Rigers Spahiu, i cili ka mbajtur të njëjtin qëndrim.

Lidhur me këtë situatë policia kriminale e Elbasanit e koordinuar dhe nga SPAK, ka marë në pyetje Xhafer Deliun, i cili nga ambientet e burgut ka shpjeguar se:

”…ditën e sotme rreth orës 12:00, ka ardhur polici sektorit që ishte me shërbim dhe më ka pyetur se: “A ke gjëra për të nxjerrë se kanë ardhur gjëra nga takimi…? Mirë i thashë se: “…s’kam gjëra për të nxjerrë…”. Aty kam shkuar dhe kam folur në telefon me familjen me nënën dhe ajo më tha se: “…do vij pasnesër, nuk të kam dërguar asgjë me asnjë njeri…”. Erdhi polici përsëri që ishte Shpëtimi i kontrollit të ushqimeve dhe më tha që të ka ardhur kjo qese. Unë e hapa qesen, ishin brenda tyre një qese me kumbulla dhe nje bidon i vogël uji, që kishte pak lëng frutash. I mora në dorë fillimisht, pastaj tek një letër që ishte brenda me emrin “Ervis Daka”. Sa pashë emrin e atij personit i ktheva mbrapsht kumbullat ku i thash policit: "…pse m’i sollët…?" dhe mu përgjigj se i kishte thënë Ervis Daka: "…çoja, do, s’do, ti jepja…".Mbas kësaj bisede, i thashë të vinte shefi i policisë dhe ja thashë se përveç familjes mos pranonin gjëra që vijnë për mua dhe i shkruaji tek blloku i vet…”.