Thirrje kundër Biden/ Ligjvënësi demokrat: Të tërhiqet nga zgjedhjet si kandidat
Një ligjvënës demokrat në SHBA është bërë I pari që ka dalë publikisht kundër Biden duke I kërkuar të tërhiqet nga gara presidenciale si kandidat. Lëvizja vjen pas zërave të shumtë teksa Biden humbi në përballjen me Trump.
Për presidentin Joe Biden ka ardhur thirrja e parë publike në SHBA që të tërhiqet si kandidat në zgjedhje, pas paraqitjes së dobët në debatin përballë ish-presidentit Donald Trump.
Ka qenë ligjvënësi demokrat Lloyd Dogget që doli në një deklaratë për media duke thënë se Biden duhet të marrë vendimin e dhimbshëm dhe të vështirë për t’u tërhequr pasi nuk arriti të mbrojë shumë nga arritjet e tij.
“Vendimi im për t’i bërë publike këto rezerva të forta nuk u mor lehtë dhe as nuk zvogëlon në ndonjë mënyrë respektin tim për gjithçka që ka arritur presidenti Biden. Duke patur parasysh se, në dallim nga Trump, angazhimi parësor i Biden ka qenë gjithnjë për vendin tonë, jo veten e tij, kam shpresën se ai do të marrë vendimin e dhimbshëm dhe të vështirë për t’u tërhequr. I bëj thirrje me respekt që ta bëjë këtë”.
Dogget përfaqëson një zonë në Teksas dhe shërben në Kongresin amerikan për të 15-ën herë.
Deklarata e tij publike vjen pas zërave të shumtë që qarkullojnë pas kuintave që nga debati televiziv i javës së kaluar.
Paraqitja e presidentit Biden shkaktoi panik të menjëhershëm edhe në radhët e mbështetësve të tij më të fortë, duke ngritur dhe shumë pikëpyetje nëse politikani 81-vjeçar është kandidati më i fortë demokrat që mund të përballet në nëntor me republikanin Trump.
Vetë Joe Biden pranoi se debati nuk shkoi mirë për të, por ai këmbënguli se ishte gati të luftonte për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Të tjerë zyrtarë demokratë të zgjedhur thanë janë shprehur se u gjetën në befasi nga paraqitja në debat e presidentit Biden.
