Nesër zgjedhjet në Britani, kandidatja shqiptare Sara Gezdari rrëfen për “Ora News” objektivat e saj
Sara Gezdari është e para shqiptare e Britanisë që konkurron ndonjëherë për deputete në parlamentin e vendit, këtë herë nga radhët e konservatorëve të qendrës së djathtë të kryeministrit Rishi Sunak.
E ndërsa zgjedhjet do të mbahen nesër, Gezdari rrëfen në një intervistë për "Ora News" jo vetëm arsyet e këtij kandidimi, por edhe objketivat e saj nëse do jetë pjesë e parlamentit britanik.
Ajo thotë se në Londër se ndihet e privilegjuar që është përzgjedhur si kandidate për zgjedhjet e përgjithshme të 4 korrikut.
Sara Gezdari konkurron në zonën më të pasur të Londrës në Richmond Park ku liberaldemokratët, rivalët e konservatorëve kanë pasur në zgjedhjet e fundit një shumicë prej 7 mijë votash!
Ndërsa thekson se në zonë ka dhe një komunitet të gjerë shqiptarësh.
Sara Gezdari jeton në Londër prej 11 vjetësh dhe është angazhuar në jetën partiake në radhët e konservatorëve britanikë që prej fillimit! Ajo vjen nga bota e financës dhe turizmit dhe ka pasur shumë poste në projekte dhe iniciativa të ndryshme politike në radhët e kësaj partie që ndodhet prej 14 vjetësh në pushtet.
Sara Gezdari nënë e dy fëmijëve është e bija e Edmond Gezdarit, ish-futbollistit të mirënjohur të ekipit të Tiranës ose ish 17 Nëntorit në vitet 1970-1980!
Pa dyshim Sara është kandidatja e duhur, ndoshta në kohën e gabuar për partinë e gabuar, si konservatorët që pritet të pësojnë një humbje historike në zgjedhjet e 4 korrikut, siç sugjerojnë gjithë sondazhet e deritanishme.



