Gonzato: BE-ja mbështetje Shqipërisë në zbatimin e Strategjisë së Mbrojtjes Sociale

Përparimi i kohezionit social duke i vënë njerëzit në radhë të parë, duke u ofruar atyre mundësi dhe duke mos lënë askënd pas janë vlera të rëndësishme, thelbësore të Bashkimit Evropian.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, së bashku me qeverinë shqiptare, falë mbështetjes financiare të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe ekspertizës së UNICEF-it, nisi Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024-2030.

Gjithashtu u diskutua se si të promovohet më së miri një shoqëri shqiptare gjithëpërfshirëse dhe të sigurohet që qytetarët më të cenueshëm të marrin mbrojtjen që meritojnë.

BE do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë drejt përafrimit me standardet e BE-së për një sistem modern, të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale për të gjithë.

“Si kudo tjetër në Evropë, qytetarët shqiptarë presin të kenë shërbime publike me cilësi të lartë, të aksesueshme, efikase dhe pa korrupsion. Pranimi në BE përfshin, jo vetëm përafrimin e ligjeve dhe rregulloreve, por edhe respektimin e vlerave të saj thelbësore. Thirrje për një shoqëri të drejtë dhe kohezive që mbron më të rrezikuarit: të rinjtë në rrezik, personat me aftësi të kufizuar, të moshuarit, minoritetet dhe gratë nga zonat rurale. BE-ja është e gatshme të mbështesë Shqipërinë në çdo hap në zbatimin e saj të Strategjisë së Mbrojtjes Sociale”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.