Koçiu: Përkujdesja për gruan, në qendër të reformave të qeverisë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu kërkoi sot në Kuvend që shëndeti seksual dhe riprodhues i grave dhe vajzave shqiptare të mos bëhet pjesë e debateve, thjesht e vetëm politike, por të vlerësohet me kujdes e respektin e merituar nga të gjithë.
Duke u përgjigjur në interpelancën e kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu lidhur me projektligjin për shëndetin riprodhues, Koçiu tha se “mënyra tendencioze e formulimit të pyetjeve tuaja nuk synon të nxjerrë në dritë të vërtetën, por përpiqet të krijojë një debat shterpë të ngritur mbi informacione të pavërteta”.
“Përgjatë gjithë këtyre viteve shëndeti dhe përkujdesja për gruan kanë qenë dhe mbeten në qendër të politikave dhe reformave të kësaj qeverie dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Çdo vit nga buxheti i shtetit janë financuar programe që mbështesin planifikimin familjar apo që rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e mirëqenies riprodhuese”, tha Koçiu.
Në sektorin shëndetësor, vijoi Koçiu, të udhëhequr nga vizioni i shëndetësisë universale Shqipëria mbështet fuqimisht gruan dhe shëndetin e saj riprodhues dhe këtë e bëjnë në një masë të madhe falas kudo.
Sa i përket shëndetit riprodhues, Koçiu bëri të ditur se Shqipëria bën pjesë në listën e atyre vendeve të zhvilluara ku të gjitha lindjet ndodhin në qendrat e specializuara mjekësore në mbi 90% të rasteve në praninë e mjekut obstetër. Sipas saj, shërbimi obstetri-gjinekologji ofrohet në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake.
