Berisha: E gjithë rritja e popullatës në 74 vite u fshi nga faqja e dheut në 8 vite. Rama shkatërroi edhe sistemin arsimor
Kreu i PD, Sali Berisha në fjalën e tij përpara demokratëve dhe qytetarëve të cilët po protestojnë kundër arrestimit politik të tij është shprehur se me këtë politikë genocidale ndaj shqiptarëve, Edi Rama meriton çdo ndëshkim më të rëndin penal dhe të çdo lloji.
Ndër të tjera Berisha theksoi e drejtimi i Shqipërisë nën drejtimin e Ramës është drejtimi i zhbërjes së shqiptarëve nga Shqipëria.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS
Të dashur qytetarë dhe qytetare, qëndrestarë dhe qëndrestare, misionarë të një kauze të drejtë.
Mirënjohje më të pakufishme, nderimin më të madh para jush për qëndresën tuaj të pamposhtur në mbrojtje të interesit kombëtar, në mbrojtje të të ardhmes së kombit shqiptar dhe të Shqipërisë që po rrënohet çdo ditë në kthetrat e pamëshirë të një narkoshteti që vjedh në mënyrë të papërmbajtur dhe ndajnë me njëri-tjetrin pasuritë publike të këtij vendi, ndajnë me familjet e tyre, kurse shqiptarëve u lënë si alternativë rrugët e botës dhe largimin.
Të dashur miq, për çdo njeri që e ndjen veten shqiptar, që i thotë vetes shqiptar, pas lajmeve që lidhen me atë, familjen, të cilat urojnë të jenë gjithnjë pozitive, nuk ka lajm më të hidhur për atë, nuk ka lajm më të hidhur për një gjeneratë të tërë se sa lajmi i rrokullisjes së Shqipërisë në honet e historisë, shpopullimit të saj, zhbërjes së saj nga bijtë dhe bijat e vet.
Në shekuj ne jemi gjenerata që patëm fatin tragjik në raport me kombin të shohim para syve tanë se si në një hark kohor 8-vjeçar, vetëm në hapësirën e BE u larguan rreth 1 milion shqiptarë dhe qindra mijëra të tjerë për në SHBA, Kanada dhe vende të tjera të botës.
Me këtë politikë genocidale ndaj shqiptarëve, Edi Rama meriton çdo ndëshkim më të rëndin penal dhe të çdo lloji.
Drejtimi i tij është pra drejtimi i shpërbërjes së kombit shqiptar.
Drejtimi i Shqipërisë nën drejtimin e tij është drejtimi i zhbërjes së shqiptarëve nga Shqipëria.
Qytetarë dhe qytetare, sot numri i shqiptarëve në Shqipëri ka zbritur në nivelet e 70-80 viteve më parë.
Por nivelet e 70-80 viteve ishin nivelet e pas një lufte, pas luftës më të egër që kishte njohur njerëzimi gjer atëherë.
Kurse e gjithë rritja e popullatës në 74 vite u fshi nga faqja e dheut në 8 vite të qeverisjes së Edi Ramës.
Të dashur miq, çdo njeri që i thotë vetes shqiptar, që e ndjen veten sadopak të detyruar ndaj kësaj toke, të tij dhe të parëve të tij, duhet të ngrihet me gjithë forcën për t’i dalë zot Shqipërisë o sot o kurrë kundër kësaj bande.
Të dashur miq, dy-tre ditë më parë, Ministria e Antiarsimit dha shifrën e maturantëve që dhanë provimin këtë vit.
Ata ishin gjithsej 28 mijë në mbarë Shqipërinë, kundrejt 50 mijë maturantëve që dhanë provimin në vitin 2013.
Të dashur miq, në qoftë se popullata u pakësua në këto 8-9 vite me mbi 35 për qind, maturantët, të rinjtë e këtij vendi, u pakësuan me 41 për qind.
Dhe kjo shifër është e trishtë, kjo shifër është kombi drejt zhdukjes.
Kjo shifër është një lemeri për çdo patriot të vërtetë shqiptar.
Sot, rekordet e zeza për këtë vend nuk kanë të ndalur, por duhet t’u themi se një nga rekordet absolutisht më të zeza, njëri nga rekordet më keqndjellëse për këtë komb ishte rezultati i publikuar nga OECD i testit PISA për mendimin krijues të nxënësve 15-vjeçarë.
8 vitet e zeza të arsimit të Edi Ramës do të regjistrohen në memorien e kohës si vitet e shkatërrimit përfundimtar të sistemit arsimor.
Qytetare dhe qytetarë shqiptarë, rezultatet e testimit të fuqisë krijuese të mendimit të fëmijëve tuaj, test ky kryesor për ndikimin e shkollës tek fëmijët tuaj, më kryesori, ku dalim ne, siç e tha zonja mësuese?
Ne dalim në vendin më të fundit të testuar në botë.
Ne zbresim nën të gjitha vendet e Ballkanit.
Ne jemi 17 pikë nën Kroacinë.
Jemi 17 pikë nën Slloveninë.
Jemi 16 pikë nën Serbinë.
Jemi 8 pikë nën Bullgarinë.
Jemi 6 pikë nën Palestinën në luftë. Republikën Domenikane. Edhe Filipinet, edhe Uzbekistani, çdo vend tjetër është para nesh.
Ne jemi aty ku e katandisi Shqipërinë Edi Rama, në vendin e fundit me gjithsej 13 pikë.



