Rama i bashkohet nismës për dhurimin e gjakut: Jetike për ata që kanë nevojë

Kryeministri Edi Rama i është bashkuar nismës për dhurimin e gjakut.

Rama si dhurues i rregullt i gjakut u shpreh se dhënia vullnetare nuk është vetëm ndihmë jetike për ata që kanë nevojë, por është edhe ripërtëritje për ata që japin.

“Ne e kemi traditë, një pjesë këtu që janë që nga bashkia e dinë shumë mirë, çdo vit ne rigjenerohemi duke dhënë gjak sepse dhënia e gjakut nuk është vetëm ndihmë jetike për ata që kanë nevojë, por është edhe ripërtëritje për ata që japin.

Nuk dhuratë më ripërtëritësese sesa dhurimi i gjakut.

Çdo dhuratë ripërtëritëse, lum kush jep, jo kush merr, por gjaku është dhurata më ripërtëritëse sepse me dhënien e gjakut organizmi fiton një energji të re edhe nuk është se shmanget komplet plakja, por shtyhet për më tutje.” – u shpreh Kryeministri.

Dhurimi vullnetar i gjakut, në mënyrë të veçantë gjatë muajit sensibilizues për këtë akt human që shpëton jetë, është kthyer tashmë në një traditë për Kryeministrinë, e cila këtë vit shënon një dekadë që i bashkohet nismës për të dhuruar gjak vullnetarisht.

Njësia e lëvizshme e Kryqit të Kuq Shqiptar u instalua sot në mjediset e brendshme të Kryeministrisë, ku Kryeministri Rama, dhurues i rregullt i gjakut prej shumë vitesh, së bashku me punonjës të administratës iu nënshtruan procedurës së dhurimit të gjakut.