Shorti i Champions League/ Egnatia mëson sot kundërshtarin e parë, rrezikohet dueli me Ballkanin e Dajës
Nga Sllovenia, sot në orën 14:00, Egnatia do të mësojë kundërshtarin që do të ketë përballë në raundin e parë të Champions League.
Kampionët e Shqipërisë marrin pjesë për herë të parë në historinë e tyre në këtë kompeticion, çka përbën një debutim historik të tyre në turneun më të rëndësishëm për klube në kontinent.
Dje UEFA ka shkurtuar listën e rivalëve të mundshëm të Egnatias, duke e reduktuar në vetëm pesë të tilla.
Egnatia ndodhet në vazon e jofavoritëve në grupin 1 dhe përballë mund të ketë skuadrat e Slovan Bratislava, Linkoln Red Imps, Nju Saints, Ballkanit dhe Borac Banja Luka.
Me siguri, teksa lexoni këtë listë të kundërshtarëve të mundshëm të skuadrës së Tetovës, emri që bie më së shumti në sy është Ballkani i Ilir Dajës, që është renditur në vazon e favoritëve falë suksesit të kualifikimit deri në grupe të Ligës së Konferencës në dy raste në vitet e fundit.
Skuadra nga Suhareka me siguri renditet mes skuadrave jo të preferuara nga Egnatia.
Gjithsesi Sovan Bratislava konsiderohet si rivali i mundshëm më i fortë dhe ai ndaj të cilit shanset do të ishin më të vogla për kualifikim.
Banja Luka e Bosnjës është gjithashtu një rival i sikletshëm, teksa uellsianët e Nju Saints dhe Linkoln Red Imps nga Gjilbratari konsiderohen si skuadra të kalueshme nga të besuarit e Edlir Tetovës.
Shorti i sotëm hidhët në Nion të Zvicrës.
Ndeshjet e para luhen më 9 ose 10 korrik dhe më 16 ose 17 korrik. Në shortin e nesërm do të jenë të ndaluara të ndeshen skuadrat kosovare përballë atyre serbe dhe boshnjake.
Ky rregull është vendosur nga UEFA për shkak të marrëdhënieve kontradiktore politike mes vendeve në fjalë.
FAZA PËRGATITORE Ditën e djeshme Egnatia ka udhëtuar drejt Sllovenisë, ku do të zhvillojë fazën përgatitore për ndeshjet ndërkombëtare. Trajneri Edlir Tetova zhvilluan në orën 18:00 seancën e parë stërvitore.
Gjatë këtyre ditëve të qershorit synohet të kolaudohet ekipi dhe natyrisht vendosen pikat mbi “i” sa i takon futbollistëve që do të qëndrojnë dhe atyre që do të largohen.
Trajneri Tetova kërkon të ketë dy formacione sa i takon sezonit të ri, pasi do t’i duhet që përtej angazhimit në Europë, të luftojë për të gjithë trofetë e mundshëm në futbollin vendës.
Referuar kontingjentit të lojtarëve që ndodhen aktualisht te kampionët, skuadra është e plotë për të pasur 2 ekipe alternative.
Nëse i referohemi lojtarëve që mund të largohen si Hysen Memolla dhe Jurgens Montenegro, Egnatia është e destinuar të futet në merkato për një mbrojtës të majtë si alternativë e Edison Ndrecës dhe një “bomber” në majën e sulmit.
Po ashtu, drejtuesit janë të interesuar për të afruar edhe dy mesfushorë, ku prioritet janë Nazmi Gripshi dhe Serxho Ujka.
Në këto kushte ekipi do të kompletohej dhe do të ishte gati të përsëriste sezonin e shkuar.
