Berisha: Ky Bajram i gjen shqiptarët më të varfër, PD e vendosur që në mandatin e saj të parë të dyfishojë rrogat dhe pensionet

Në fjalën e tij para qytetarëve, kryetari i PD-së Sali Berisha ka uruar besimtarët me rastin e Kurban Bajramit.

Lideri i opozitës uroi që sakrificat  e tyrë të jenë të pranuara nga Zoti.

Më tej Berisha theksoi se vendi është varfëruar në çdo skaj pasi taksat e tyre vidhen nga Rilinjda.

Lideri i opozitës në fjalën e tij theksoi se Partia Demokratike një ndër aktet e para që do të bëjë është vendosja e minimumit jetik për t'iu përgjigjur varfërisë që ka kapluar vendin.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Para sakrificës tuaj dhe duke uruar sot edhe njëherë çdo shqiptarë në këtë ditë të bekuar, uroj që sakrifica juaj dhe të gjithë shqiptarëve të pranohet nga i gjithëfuqishmi dhe të shtohet në të mira për ju, për vendin, për shoqërinë shqiptare.

Vëllezër dhe motra, ky Bajram i gjen shqiptarët më të varfër se Bajrami që ka kaluar.

Ky Bajram i gjen shqiptarët më të pakësuar më të paktë në tokën e tyre se çdo Bajram tjetër që ka kaluar.

Ky Bajram i gjen shqiptarët më të përçmuar më të vjedhur më të varfër se çdo Bajram që ka kaluar.

Miqtë e mi!
Kudo në Shqipëri ulërijnë sirenat e skamjes. Kudo në Shqipëri, gjithnjë e më shumë do trokasi në dyert e shqiptarëve varfëria.

Partia Demokratike është e vendosur t’i japë përgjigje emergjente varfërisë që po mjeron gjithnjë e më shumë shqiptarët.

Partia Demokratike është e vendosur që në një akt të parë të mos ketë shqiptarë në Shqipëri, cilido qoftë ai, fëmijë apo i rritur, pensionistë apo i papunë që të mos marrë minimumin jetik 220 euro në muaj.

Është jetike është emergjencë një shpërndarje e re e të ardhurave në Shqipëri dhe për shqiptarët.

Partia Demokratike është e vendosur që në mandatin e saj të parë të dyfishojë rrogat dhe pensionet në mbarë vendin dhe të hedhë bazat e sigurta për dyfishimin tjetër në vazhdim.

Partia Demokratike beson se përgjysmimi i taksave është rruga për të nxitur inisiativën e lirë të shqiptarëve.

Çdo njeri që dëgjon këto premtime, me të drejtë do të shtrojë pyetjen, ku do i merrni paratë?

Ua them këtu me bindje absolute se paratë ekzistojnë por ato vidhen vidhen dhe vetëm vidhen.