“Gjashtë muaj te Milani dhe po thinjem”, Ibra: Ja përse zgjodhëm Fonsecën dhe jo Conten

Zlatan Ibrahimovic u paraqit në konferencë për shtyp ku foli për sezonin e ri të Milanit, si dhe objektivat e kuqezinjve.

Ish-sulmuesi që tashmë ka një rol drejtuesi te kuqezinjtë, vlerësoi ndër të tjera trajnerin e ri Paulo Fonseca ndërsa zbuloi edhe arsyen përse nuk bashkëpunoi me Antonio Conten.

“Gjashtë muaj punë te Milan si drejtues dhe tashmë flokët kanë nisur të thinjen.

Këtu punohet shumë, unë nëse marr pjesë në projekt, dua që mbi të gjitha ai projekt të jetë fitues si dhe të kem mundësinë ta çoj deri në fund.

Ata që e njohin mentalitetin tim e dinë se unë nuk pranoj të humbas, dua vetëm të fitoj.

Objektivat e Milanit janë shumë të thjeshtë, skuadra duhet të fitojë, jo vetëm në Itali, por edhe në Europë sepse historia e Milan është e ndërtuar edhe në kompeticionet europiane.

Unë them gjithmonë; Milan nuk fiton, Milan bën histori. Ai që vjen të punojë te Milan, duhet të ketë këtë mentalitet.

Fonseca- Fillimisht dua të falenderoj Piolin për gjithçka. Fonsecën e studiuam mirë dhe e zgjodhëm që t’i japë identitetin e duhur lojtarëve që kemi në organikë.

Duam gjithashtu një lojë dominuese dhe ofensive. E kemi studiuar mirë Fonsecën, mënyrën si i stërvit lojtarët, si luan në fushë dhe si i përgatit ndeshjet. I besojmë shumë se do të sjellë diçka të re në San Siro.

Conte- Nuk është se kemi biseduar me të, por me gjithë respektin mendoj se nuk i përmbush kriterët që kërkojmë ne”, u shpreh Ibra.