Flavio Tosi ish-kryetari i bashkisë së Veronës, i hetuar në operacionin antimafia, është Europarlamentar në listën e Forza Italia në PE
Flavio Tosi ish kryetari i bashkisë së Veronës, i përfshirë në listën e personave të hetuar në operacionin antimafia koduar "Isola Scaligera", ekzekutuar më 2020, është Europarlamentari i zgjedhur në listën e Partisë Forza Italia në Parlamentin e ri Evropian.
Flavio Tosi është ndër 9 europarlamentarët e Forza Italia, fitues të zgjedhjeve europiane në Itali.
Për momentin ai ka kërkuar disa orë kohë për të pranuar o jo këtë pozicion të ri politik pasi aktualisht është deputet në Parlamentin Italian.
Flavio Tosi dikur eksponent i Partisë Lega të Matteo Salvinit, më 2022 braktisi këtë Parti e kaloi në Partinë e Silvio Berlusconit, Forza Italia duke u zgjedhur në votën politike të 2022 në Itali si deputet i saj.
U bë i njohur në aktualitetin shqiptar pas publikimit të hetimeve të Antimafias Italiane që zbardhën se si klanet ndranghetiste, Arena e Nicoscia të familjes Giardino, kishin shtrirë aferat e tyre në sistemin publik, insitucional e politik të Veronës.
Ky hetim solli në Shqipëri fillimin e zbardhjes së megaskandalit të menaxhimit të plehrave përmes kompanisë Eco Tirana 51 % e të cilave ishte në zotërim të Bashksië së Tiranës e 49% të AGSM Holding Albania.
AGSM Holding Albania në pronësi 75% nga AGSM Verona e 25% nga Amia Verona, e kjo e fundit u vu nën hetim nga Antimafia e Venezias me arrestimin e 2 fuksionarëve të lartë të saj.
Operacioni Isola Scaligera çoi në urdhër ndalimin e 26 personave, 17 në arrest me burg, 6 në arrest shtëpiak e 3 në detyrim paraqitje.
Akuza; pjesëmarrje në organizim mafioz, mashtrim, riciklim. zhvatje, trafik droge, korrupsion, konkurrencë e parregullt, transferim mashtrues i të mirave materiale dhe faturave falso
Ish kryetari i bashkisë së Veronës Flavio Tosi akuzohej për pjesëmarrje në përvetësimin e fondeve të shpërdoruara nga ish Presidenti i kompanisë AMIA Verona, Andrea Miglioranzi i vënë në arrest shtëpiak.
Gjatë procesit gjyqësor akuza ndaj tij u rrëzua e u hoq nga lista e personave nën hetim, pra Flavio Tosi u shkarkua nga çdo akuzë./ALBA KEPI



