Ushtria izraelite “në listën e zezë”/ OKB thotë se dhuna ndaj fëmijëve ka arritur nivele ekstreme në 2023

Një raport i ri i OKB ka vlerësuar se dhuna ndaj fëmijëve ka arritur nivele ekstreme një vit më parë, teksa autorë kryesorë listohen forcat izraelite dhe Hamasit.

Dhuna ndaj fëmijëve ka arritur nivele ekstreme në vitin 2023, me një numër të paprecedentë të vrasjeve dhe plagosjeve në konfliktet e armatosura, vlerëson një raport i OKB.

Nga Izraeli dhe territoret palestineze në Sudan, Myanmar dhe Ukrainë janë vendet e shndërruara të rrezikshme sipas dokumentit

Për herë të parë OKB ka shtuar forcat izraelite në listën e zezë të vendeve që shkelin të drejtat e të vegjëlve, për vrasjen dhe gjymtimin e fëmijëve dhe sulmimin e shkollave dhe spitaleve.

Si dhe militantët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez për vrasjen, plagosjen dhe rrëmbimin e fëmijëve.

Sulmi i befasishëm i Hamasit më 7 tetor në Izraelin jugor dhe hakmarrja masive ushtarake e Tel Avivit në Gaza kanë çuar në një rritje prej 155% të shkeljeve të rënda ndaj fëmijëve, veçanërisht nga përdorimi i armëve shpërthyese në zonat e populluara, thuhet në raport.

Ndërkohë forcat e armatosura ruse vijojnë te qëndrojnë në listën e zezë për të dytin vit radhazi, për shkak të operacioneve në Ukrainë.

OKB-ja verifikoi vrasjen e 80 fëmijëve ukrainas dhe gjymtimin e 419 të tjerëve nga forcat ruse vitin e kaluar, shumica nga armët shpërthyese.

Dokumenti vjetor për Fëmijët në Konflikt të Armatosur, raportoi një rritje tronditëse prej 21% të shkeljeve të rënda ndaj fëmijëve nën moshën 18 vjeç, duke përmendur gjithashtu Kongon, Burkina Faso, Somalinë dhe Sirinë.

Organizata verifikoi gjithsej 30 mijë e 705 shkelje ndaj fëmijëve në vitin 2023 dhe 2 mijë e 285 të kryera më parë, nga të cilët 15 mijë e 800 janë djem dhe më shumë se 6 mijë 250 vajza.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres u shpreh i tmerruar, ndërsa raporti vlerëson se 5 mijë e 698 shkelje të rënda kundër fëmijëve iu atribuuan forcave izraelite, 116 Hamasit, 58 autorëve të paidentifikuar, 51 kolonëve izraelitë, 21 xhihadit islamik, 13 individëve palestinezë dhe 1 forcave të sigurisë së Autoritetit Palestinez.