Situata në burgje e rëndë, Avokati i Popullit: Jemi vendi i parë në Evropë për numrin e lartë të të paraburgosurve

Të drejtat e të burgosurve dhe sfidat e institucioneve peniticiare për të arritur në standardet ndërkombëtare ishte temë e diskutimit të kësaj të marte në emisionin “Epiqendër” në “Ora News”, ku e ftuara e moderatores Sonila Musai ishte Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.

Gjatë bisedës Ballnaca renditi një sërë problematikash që institucioni që ajo drejto ka hasur në monitorimin e burgjeve në vend.

“Problematikat janë të ndryshme, ku ashtu si në ccdo vend të botës edhe në Shqipëri ka problematika të shumta.

Disa janë strukturore, ndërsa në raste të tjera mund të ndodhë një rast, pra që janë të izoluara.

Problematika që kemi hasur së fundmi është mbipopullimi në paraburgime, duke e renditur Shqipërinë në vendin me përqindjen më të lartë të personave të para burgosur në sistemin peniticiar.

Kjo është një e dhënë shumë negative, pasi ccdokush ka të drejtën e prezumimit të pafajësisë dhe bëhet fjalë për një shifër tejet të lartë, me mbi 60 për qind të të paraburgosurve të izoluar.

Për ne kjo është një shkelje shumë e madhe, pasi së pari i privon personat nga liria dhe ky është problemi thelbësor.

Dhe gjithashtu është një kosto shumë e lartë për vetë qytetarët, pasi sa shpenzojmë për personat në paraburgim mund të investonim në institucionet e edukimit, ku mund të kishim më pak të dënuar apo të paraburgosur”, u shpreh Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.

NDIQNI MË POSHTË EMISIONIN E PLOTË