Rithemelimi është PD, Andoni: Nga sot nis beteja për ringritjen e PD-së, i duhet katarsis brenda vetes. Basha të mendojë për një emër të ri
Vula dhe logoja e PD-së i takon grupimit të Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha. Kështu ka vendosur sot Apeli lidhur me çështje që ka mbi 2 vite që mundon partinë më të madhe opozitare.
Për analistin Ben Andoni nga sot fillon beteja për ringritjen e Partisë Demokratike, pasi z. Berisha mund të kalojë si President nderi i kësaj partie.
Në një intervistë për “Ora News”, Andoni theksoi se në mbledhjen e pasdites së sotme, z. Basha duhet të mendojë për një emër të ri të forcës politike që ai drejton, pasi bëhet fjalë për një lëvizjes që ka mbi 100 mijë vota në zgjedhjet e kaluara.
“Në mbledhjen e sotme të Bashës do të vendoset për një emër të ri.
Ndërsa Partisë Demokratike i duhet shumë sot një katarsis brenda vetes dhe i duhet të dalë me një qëndrim pro evropian dhe pro-amerikan, pasi deri më tani PD-ja e z. Berisha ka pasur qëndrime të lëkundura ndaj tyre.
Dhe ndaj mendoj se tashmë do të fillojnë përplasjet reale brenda PD-së.
Ku ajo duhet të vendosë jo për një kryetar të ri pasi de juro është z. Berisha, por asaj i duhet një kryetar real, i ndarë nga z. Berisha”, u shpreh ndër të tjera në analizën e tij Ben Andoni.

