“Tërmeti” në PE, Kraki: Macron dhe Scholz u ndëshkuan për Ukrainën. E djathta ekstreme, nuk është aq “ekstreme” kur vjen në pushtet

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian që u mbajtën në 27 vendet e BE-së nga e enjtja (6 qershor) deri mbrëmjen e sotme (9 qershor) regjistruan një fitore të madhe të partive të ekstremit të djathtë. Veçanërisht e djathta ekstreme shënoi rezultate historike në Francë, Gjermani e Austri.

Menjëherë pasi u njoh me kapitullimin në zgjedhjet evropiane i pari që mori vendimin drastik ishte presidenti i Francës Emanuel Makron, i cili njoftoi shpërndsajern e parlamentit dhe çuarjen e vendit të tij në zgjedhje të parakohshme.

Për të kuptuar më shumë mbi ndikimin e këtyre zgjedhjeve të Parlamentit të ri Evropian në binomin Francë – Gjermani, por edhe në Ballkanin Perëndimor sa i përket projektit të zgjerimit të unionit, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte Nezir Kraki, analist dhe pedagog në Francë.

“E djathta ekstreme, nuk është aq “ekstreme” sa ç’duket.

Kur vijnë në pushtet i harrojnë premtimet radikale që kane bërë, njësoj si rasti i Melonit në Itali, e cila ka ndryshuar të gjithë qasjen e saj politike krahasuar me atë se çfarë thoshte në fushatë.

Macron bëri një veprim të gabuar që shpërndau parlamentin menjëherë pas zgjedhjeve, duke i dhënë edhe më shumë forcë kampit kundërshtar.

Nga ana tjetër Marine Le Pen është fuqizuar ndjeshëm dhe nëse merr pushtetin shumë gjëra në Francë do përmbysen.

Macron dhe Scholz i është kthyer rikoshet nga qytetarët ndihma që i kanë dhënë Ukrainës, nafta për qytetarët në Francë tregtohet me çmimin mbi 2 euro dhe konsiderohet e shtrenjtë dhe fajin, sipas tyre, e ka lufta”, u shpreh ndër të tjera në analizën e tij, analisti dhe pedagogu Nezir Kraki.