Lufta në Gaza/ Sekretari Blinken në Lindjen e Mesme, nxit udhëheqësit rajonalë të ushtrojnë trysni ndaj Hamasit
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken filloi të hënën një vizitë në Lindjen e Mesme ndërkohë që shanset për arritjen e marrëveshjes së propozuar të armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hamasit mbesin të paqarta pas shpëtimit dramatik të katër pengjeve gjatë fundjavës në Gazë.
Kjo është vizita e tetë e Sekretarit Blinken në Lindjen e Mesme që kur filloi konflikti në tetor dhe vjen në një kohë kur numri i viktimave palestineze, sipas autoriteteve në Gazën e sunduar nga Hamasi, ka kaluar shifrën prej 36,000 të vrarëve dhe thellimit të përçarjeve në qeverinë e Kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken filloi vizitën në Lindjen e Mesme në Kajro të hënën, ku po takohet me Presidentin e Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi, para se të udhëtojë në Izrael, Jordani dhe Katar ku pritet të takohet me zyrtarët më të lartë të këtyre shteteve.
Sekretari Blinken tha se po nxit udhëheqësit rajonalë të ushtrojnë trysni ndaj Hamasit që të pajtohet me propozimin për armëpushim për t’i pezulluar luftimet në Gazë.

