Scholz rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën përpara zgjedhjeve të BE-së

Një ditë para se gjermanët të shkojnë në qendrat e votimit në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, kancelari Olaf Scholz rikonfiromoi mbështetjen e tij për Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

“Rusia nuk do të shpëtojë nga planet e saj imperialiste”, tha kancelari socialdemokrat (SPD) në video-mesazhin e tij javor.

“Putini duhet të kuptojë se ai nuk mund të fitojë fushatën e tij brutale. Se mund të ketë vetëm një paqe të drejtë për Ukrainën”, tha Scholz.

Sondazhet përpara votimit të së dielës tregojnë SPD-në me rreth 15% të votave – afërsisht e njëjtë me atë të Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë.

Nëse SPD-ja do të humbiste, kjo do të forconte statusin e AfD-së si partia e dytë më popullore në Gjermani, pas opozitës konservatore CDU/CSU.

Përpara samitit të Grupit të Shtatë (G7) në Itali, i cili hapet këtë të enjte, dhe konferencës së paqes zvicerane për Ukrainën që fillon më 15 qershor, Scholz theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me partnerët dhe aleatët.

Ai tha se do të promovonte një qëndrim të përbashkët ndaj Rusisë me përfaqësues nga Azia, Afrika dhe Amerika e Jugut në konferencën zvicerane.

“Është e rëndësishme që vendet t’i qëndrojnë të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha Scholz.

“Dhe kjo është arsyeja pse Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj pushtuese”, shtoi ai.

Mes shqetësimeve në Gjermani për zgjerimin e luftës së Rusisë në Ukrainë në pjesë të tjera të Evropës, Scholz tha se mbështetja gjermane për Ukrainën nuk po rrezikonte paqen në Gjermani.