OKB akuzon Izraelin për vrasjen e fëmijëve, Netanyahu: Forcat tona më moralet në botë

OKB ka shtuar forcat izraelite në listën e ushtarakëve që kryejnë shkelje ndaj të drejtave të fëmijëve.

Mijëra të vegjël janë vrarë në fushatën e Tel Avivit kundër Hamasit në Gaza dhe mijëra të tjerë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare.

Lista vjetore mbulon vrasjen në konflikt dhe mohimin e aksesit në ndihmë, si dhe shënjestrimin e shkollave dhe spitaleve.

Ajo do të përfshihet në një raport që do t'i paraqitet Këshillit të Sigurimit javën e ardhshme, megjithatë nuk është ende e qartë çfarë akuzash janë ngritur për Izraelin.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka reaguar duke thënë se OKB-ja e kishte shtuar veten në "listën e zezë të historisë" dhe se forcat e tij janë "ushtria më morale në botë", ndërsa ministri i Jashtëm Israel Katz kërcënoi se kjo do të kishte pasoja për marrëdhëniet me organizatën.

Sa i përket shifrave të fëmijëve që kanë humbur jetën që nga fillimi I luftës më 7 tetor të vitit të kaluar, janë të frikshme.

7 mijë e 797 numëroheshin deri muajin e kaluar, sipas OKB që bazohet në të dhënat e trupave të identifikuar nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza.

Gjithashtu zyrtarët ndërkombëtare rishikuan përqindjen e viktimave të raportuara që ishin gra dhe fëmijë, duke e ulur nga 69% në 52% të numrit të përgjithshëm të vdekjeve.

Izraeli pretendon se reduktimi tregoi se OKB-ja ishte mbështetur në të dhëna të rreme nga Hamasi, por organizata thotë se mbështetet në shifrat e ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza dhe jo në Zyrën e Mediave të Qeverisë.

Këshilli Kombëtar izraelit për Fëmijët ka deklaruar se 38 fëmijë u vranë nga sulmi I militantëve në 7 tetor, teksa 42 të tjerë u morën mes pengjeve.

Sipas raporteve, Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez gjithashtu do të përfshihen në listen ndërkombëtare të atyre që kryejnë shkelje ndaj fëmijëve.