SHBA akordon 225 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën

Gjatë një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Francë, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën. Ajo përfshin armë me vlerë 225 milionë dollarë.

“Biden njoftoi një paketë të re ndihme prej 225 milionë dollarësh për Ukrainën, për të cilën Zelensky e falënderoi”, tha gazetarja e CNN, Natasha Bertrand.

Mediat raportojnë gjithashtu se Biden kërkoi falje për vonesën disamujore në miratimin e armëve për Ukrainën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologu i tij amerikan Joe Biden u takuan në Francë, ku mbërritën me rastin e Ditës D, 80-vjetorit të zbarkimit të Aleatëve në Normandi në Luftën e Dytë Botërore.

Këto bisedime ballë për ballë mes dy liderëve janë të parat që kur Zelensky vizitoi Uashingtonin në dhjetor 2023. Megjithatë, Zelensky dhe Biden do të kenë një takim tjetër, përkatësisht në samitin e G7 në Itali më 13-15 qershor.