Prej 2016 merrte tendera për trajtimin e mbetjeve spitalore, Prokuroria kërkon arrestimin e Ervis Mirit
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrestimin e Ervis Mirit, nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve për trajtimin e mbetjeve spitalore.
Sipas prokurorisë rezulton e provuar se Ervis Miri, ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderi për asgjësim mbetjesh spitalore, prej vitit 2016 e në vijim, duke dorëzuar dokumentacion të rremë.
Ai pretendonte se kishte kapacitete për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore duke i kthyer ato nga të dëmshme në të padëmshme por nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë.
Deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se në bashkëpunim me një person tjetër të identifikuar si E.Sh, kanë përpiluar akte të rreme prej vitit 2015 e në vijim, duke pasqyruar në kërkesat e tyre drejtuar AKM-së, nëpërmjet QKB-së, si dhe raporteve të vetmonitorimit periodike, në funksion të Lejes së Tipit B, një pajisje të tipit Econos Tsc 150, e cila në fakt është instaluar pas muajit Janar të vitit 2024.
Sipas organit të akuzës ata janë ndihmuar edhe nga 6 inspektorë shtetërorë. Dy prej të cilëve nuk kanë evidentuar mungesën e pajisjes Econos Tsc 150.
Ndërkohë 4 inspektorët e tjerë kanë mbuluar veprimtarinë reale të e Ervis Mirit, duke mos raportuar pika shkarkimi në ajër dhe tokë të pajisjes Mangazini, si dhe duke mos raportuar se në vend të ushtrimit të aktivitetit, gjendet i instaluar vetëm një incenerator.
Rezulton e provuar se pajisa Econos TSC 150, e këqyrur nga oficerët e policisë gjyqësore, është importuar, në datën 22.01.2024, ndryshe nga sa ka deklaruar se e ka importuar dhe instaluar në vitin 2016.
Në këto kushte ngrihen dyshime se me mungesën e pajisjes Econos Tsc 150, dhe mungesën e një prej inceneratorëve, ai nuk ka pasur aftësi të realizojë trajtimi e mbetjeve spitalore
Hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosveprimeve të enteve publike si dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm, ekspertimeve kontabël, në raport me pasojat që mund të kenë ardhur mbi ndikimin në mjedis, ndër vite.
