Burimi: Komisioni “Xhafaj”, demagogji! Ai emërtohet për “mirëqeverisje” dhe s’ka lidhje me anti-korrupsionin

Për analistin Genc Burimi, komisioni i fundit që u ngrit me votat e mazhorancës këtë të enjte në Kuvend është thjesht një demagogji e radhës e qeverisë, pasi së pari ai nuk ka të bëjë fare me anti-korrupsionin, pasi që në emërtimin e tij, ai cilësohet si Komision për Mirëqeverisje.

Dhe kjo sipas Burimit, është një ftesë për një koalicion qeveritar, dhe si i tillë është trajtuar edhe nga ambasadat e huaja në vend, të cilat e shikojnë si pa sens logjik ngritjen e një komisioni të tillë.

“Nëse i përmbahemi titullit të vetë komisionit, kemi të bëjmë me një komision që nuk ka lidhje me anti-korrupsionin, por titullohet Komision për Mirëqeverisjen. Pra, është ftesë për një koalicion qeveritar. Un ëkështu e lexoj.

Prandaj, edhe ambasada e SHBA-së dhe ajo e BE-së kanë shprehur habinë e tyre se si mund t’i shtrish dorën opozitës për një qeveri koalicioni, sepse nëse ti e fton opozitën për mirëqeverisje po e fton atë që të qeverisim bashkë.

Por nëse ti nuk bën gjëra konkrete për të fituar besimin e opozitës, dhe për më tepër ti e mbyll brenda 4 ditësh ngritjen e tij, kjo është thjesht demagogji. Dhe ky është sensi dhe thelbi i dy deklaratave të dy ambasadave kryesore në vend. Pra, ky komision nuk ka pikën e vlerës as juridike, as strategjike, dhe as në pikëpamjen demokratike nëse nuk gjithëpërfshirës.

Opozita me të drejtë e mohon, nuk e pranon. Dhe nuk ka vend në një regjim demokratik, sepse mazhoranca e ka shumicën, i ka deputetët dhe kjo nuk do të sjellë asgjë të re në debatin publik”, u shpreh në analizën e tij Genc Burimi në një intervistë dhënë këtë të dielë në studion e lajmeve në “Ora News”.