Do jetë kundërshtari i parë i Shqipërisë në europian/ Dy module dhe stërvitje për të dalë nga presingu, Spalletti vë në rresht italianët
Italia do të jetë kundërshtari i parë i Shqipërisë në Europianin Gjermani 2024, me dy skuadrat që do të përballen mbrëmjen e 15 qershorit në “Signal Iduna Park” të Dortmundit.
Kampionët në fuqi, të drejtuar nga Luciano Spalletti, kanë nisur zyrtarisht përgatitjet për Europianin, teksa media italiane ka zbuluar edhe detaje nga fokusi i stërvitjes së të premtes te të kaltrit.
Kështu raportohet se seanca stërvitore ka zgjatur rreth 90 minuta, teksa Spalletti është ndalur më shumë te konceptet taktike, duke udhëzuar të tijtë mbi mënyrën si të mbajnë zotërimin e topit dhe si të dalin nga presingu i kundërshtarëve.
Këto koncepte Spalletti i përmendi si mjaft të rëndësishme edhe në konferencën zyrtare për shtyp, teksa tashmë ka dy javë kohë për t’i ngulitur sa më mirë ën kokën e futbollistëve të tij.
Seanca stërvitore u mbyll edhe me një miqësore brenda grupit, ku Spalletti përzjeu kartat dhe në njërin krah përdori rreshtimin 3-4-2-1 ndërsa në tjetrin atë 4-2-3-1.
Rreshtimi i parë, me tre në mbrojtje, pritet të jetë edhe primari i Spallettit në Europian, pasi trajneri dëshiron të shfrytëzojë në maksimum futbollistët e Interit kampion, të cilët luajnë prej vitesh me atë skemë.
Megjithatë trajneri toskan ka si skemë të preferuar të tijën atë 4-2-3-1, ndaj dëshiron që gjatë Europianit ta mbajë si opsion, për ta vënë në praktikë sa herë të jetë e nevojshme.
Italia është e grumbulluar në qendrën stërvitore të Kombëtares në Coverciano, teksa më pas pritet të niset drejt Gjermanisë për të pritur edhe përballjen e parë, atë ndaj kuqezinjve të Sylvinhos.
