Caktohet data e prezantimit të Contes, dy çështjet që duhet të zgjidhë menjëherë te Napoli

Antonio Conte do të jetë trajneri i ri i Napolit dhe, sipas të gjitha gjasave, do të zyrtarizohet të hënën e ardhshme.

Sipas asaj që raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, trajneri do të punojë ngushtë me Givanni Manna-n për të zgjidhur fillimisht çështjen e Di Lorenzos, më synim bindjen e lojtarit që të qëndrojë te Napoli.

Emergjencë për Conten do të jetë edhe zgjidhja e çështjes “Kvaratskhelia”.

Presidenti De Laurentiis foli me agjentin e gjeorgjianit, duke i shpjeguar se propozimi prej 60 milionë eurosh i PSG-së nuk u mor në konsideratë dhe se e njëjta gjë do të bëhet me një ofertë prej 100 milionësh.

Vetëm nëse do të viheshin më shumë në tavolinë, 150 milionë euro, napolitanët do të negocionin transferimin.

Kvaratskhelia është futbollist nga i cili Conte dëshiron të fillojë dhe presidenti i ka vendosur vetes synimin që ta bindë atë të rinovojë kontratën.

Nga sezoni i ardhshëm, paga e tij do të rritet, por jo aq sa dëshiron anësori.

Kërkesa e përfaqësuesve të gjeorgjianit është për një marrëveshje të re prej 5 milionë eurosh në vit, plus bonuse.

Për momentin, Napoli ka shkuar deri në 4 milionë plus bonuse, por nevojitet një sforcim i mëtejshëm për të siguruar që nuk do të tundohet nga PSG.

Kvaratskhelia luajti 45 ndeshje këtë sezon midis Serisë A, Champions League, Superkupës së Italisë dhe Kupës së Italisë, duke shënuar 11 gola, të gjithë në kampionat.

Në palmaresin e tij, përveç kampionatit 2022-2023, ka edhe një Kupë të Rusisë me Lokomotivën e Moskës.