Projektligji “për agjentët e huaj” tërhiqet nga diskutimi në Asamblenë Kombëtare e Republikës Sërbska
Projektligji për regjistrin e organizatave jofitimpruresë, i njohur në publik si ligji “për agjentët e huaj” u tërhoq nga diskutimi në Asamblenë Kombëtare e Republikës Sërbska.
Drafti parashikonte mbikëqyrje të veçantë dhe mundësinë e ndalimit të veprimtarisë për organizatat joqeveritare që financohen nga jashtë, ndalimin e aktiviteteve politike, nevojën për regjistrim shtesë dhe dorëzimin e raporteve financiare.
Ligji për agjentët e huaj u propozua në vitin 2022 nga Millorad Dodik, presidenti prorus i Republikës Sërpska, i cili është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për veprime antikushtetuese. Drafti ka ngjashmëri me një ligj rus të miratuar në vitin 2012.
Në dokument përkufizohen si "agjentë të ndikimit të huaj" organizatat jofitimprurëse që ndihmojnë subjektet e huaja dhe që merren me veprime politike, ose aktivitete politike, të cilat ndikojnë në opinionin publik dhe ato që shkelin integritetin dhe Kushtetutën e Republikës Sërpska - entitetit të Bosnje e Hercegovinës.
Projektligji u tërhoq nga diskutimi me kërkesë të qeverisë së Republikës Sërbska, ndërsa vendimin e bëri të ditur zëvendëskryeministri njëherësh ministër i Drejtësisë, por pa dhënë arsye për këtë vendim.
Projektligji u fut në rendin e ditës në fillim të seancës së Kuvendit më 22 maj, pavarësisht thirrjeve nga 46 organizata joqeveritare drejtuar deputetëve që të mos e votonin atë.
Më 20 maj, Misioni i OSBE-së paralajmëroi përmes një letre se ligji për "agjentët e huaj" është në kundërshtim me kushtetutat e Republikës Serbska dhe Bosnje e Hercegovinës, sikurse shkel detyrimet ndërkombëtare të vendit për t'i respektuar të drejtat e njeriut.
Ambasada amerikane po ashtu e cilësoi ligjin "represiv dhe jodemokratik", dhe se, nëse zbatohet, do të shkelte në mënyrë drastike të drejtat dhe liritë e njerëzve që jetojnë në Republikën Sërpska.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë kërkoi tërheqjen e këtij projektligji duke deklaruar se "ka për qëllim të heshtë dhe të frikësojë civilët dhe organizatat e shoqërisë”.
