“Përçarja” e Opozitës në Kosovë/ Haradinaj kundër Krasniqit: Qeveria të dorëhiqet ose të shkarkohet. Amnisti për Kurtin

Ngërçi politik në Kosovë vijon pasi mazhoranca dhe opozita nuk e kanë gjetur ende një gjuhë të përbashkët për procesin drejt zgjedhjeve të reja. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj vijon të këmbëngulë në shkarkimin e qeverisë dhe largimin e Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përsëriti kërkesën se qeveria e Albin Kurtit duhet të dorëhiqet ose shkarkohet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Kundërshtoi idenë e shpërndarjes së Kuvendit duke e konsideruar si amnistim të qeverisë, në përgjigjen që I ka kthyer kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.

Ky i fundit i kishte dërguar një letër ku thekson qëndrimin e partisë së tij për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme duke propozuar 30 qershorin dhe 7 korrikun si data.

Haradinaj këmbëngul se fajtore për gjendjen e krijuar në Kosovë është qeverisja e Albin Kurtit.

“Në përgjigje të letrës së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, shpreha qartë se rrugëdalja e vetme nga kriza në vend, është një platformë e përbashkët për qeverisje, pa Kurtin.

Kjo sepse Kurti dhe qeveria e tij, janë fajtore për gjendjen e krijuar, e në këtë kontekst, Aleanca nuk lëviz nga qëndrimi që kjo Qeveri duhet ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me shkarkim, e jo të amnistohet me vet-shpërndarje të Kuvendit”, ka shkruar ai në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Partitë opozitare dhe mazhoranca në Kosovë në Kosovë janë dakord që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, por nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për mënyrën se si do të shkohet drejt këtij procesi.