PAMJET/ Kroçera “Seabourn Quest”, vizitorja më e re e portit të Durrësit

Kroçera “Seabourn Quest” është vizitorja më e re e portit të Durrësit. Lajmi bëhet me dije nga kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e cila i uroi në bord mirëseardhjen stafit të kroçerës.

“Kroçera “Seabourn Quest”, që vjen për herë të parë në Durrës, sjell 450 turistë nga 22 shtete të botës”, shkruan Sako në rrjetet sociale.

Turistët janë kryesisht amerikanë, anglezë e kanadezë, ndërkohë që mes tyre ka edhe kilianë, indianë, malajzianë e australianë. Anija do të qëndrojë katër ditë e ankoruar, ndërsa itinerari i turistëve përfshin vizita në qytetet e Tiranës, Durrësit, Krujës dhe Beratit.

Sako shprehet se bashkia i ka marrë të gjitha masat për një sezon turistik të suksesshëm e tashmë mirëpriten çdo ditë turistët e shumtë që vizitojnë qytetin bregdetar.

Kjo kroçerë pritet të pasohet gjatë kësaj vere edhe nga shumë kroçera të tjera, të cilat e kanë përfshirë tashmë bregdetin shqiptar në itineraret e tyre në çdo sezon turistik.

Vitin e kaluar Shqipëria mirëpriti më shumë se 10 milionë turistë të huaj, një pjesë e mire e tyre vizitorë të ardhur me kroçera nga porti i Durrësit.