Norvegji – Hyn në fuqi njohja e Palestinës si shtet
Norvegjia njohu sot zyrtarisht një shtet të pavarur palestinez, ndërkohë që Spanja dhe Irlanda do ta bëjnë këtë më vonë gjatë ditës, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Izraeli.
”Njohja zyrtare nga Norvegjia e Palestinës si shtet hyri në fuqi të martën më 28 maj 2024”, tha Ministria e Jashtme norvegjeze në një deklaratë.
“Një numër vendesh të tjera evropiane me të njëjtin mendim do ta njohin zyrtarisht Palestinën në të njëjtën datë”, shtoi ajo.
Të tre vendet evropiane e kishin njoftuar lëvizjen njëkohësisht javën e kaluar, me udhëheqësit e tyre që thanë se shpresonin se vendet e tjera do t’i bashkoheshin nismës, duke besuar se ajo do të avanconte perspektivat për paqe pas më shumë se shtatë muaj luftimesh midis Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas.
“Njohja nga vende të ndryshme evropiane nuk është në vetvete e mjaftueshme për të siguruar që një shtet palestinez do të jetë i qëndrueshëm”, tha ministri norvegjez i Punëve të Jashtme, Espen Barth Eide.
“Duke njohur një shtet palestinez, ne po mbështesim planin e paqes, i cili është zhvilluar më tej nga aktorët kryesorë në rajon në prag të 7 tetorit”, tha ai.
“Ky vendim i përbashkët pasqyron vendosmërinë e tre vendeve tona për të bërë një ndryshim themelor paradigme”, tha Michael Martin i Irlandës në konferencën e përbashkët për shtyp të ministrave të Jashtëm të tre vendeve, të hënën e kaluar.
“Ne kemi njohur si shtetin e Izraelit ashtu edhe shtetin e Palestinës, pikërisht sepse duam të shohim një të ardhme të marrëdhënieve të normalizuara midis dy popujve”, tha Martin.
“Një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez parashikon një shtet të pavarur palestinez që ekziston në mënyrë paqësore krah për krah me Izraelin. Netanyahu kundërshton një zgjidhje me dy shtete, ashtu si edhe Hamasi”, shtoi ai.
Shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara e njohin shtetin e Palestinës.
Megjithatë, vendet perëndimore me ndikim si SHBA, BM dhe shumica e shteteve të BE-së nuk e njohin një shtet të pavarur palestinez.


