Vocaj në konferencën e 44-t të Policive të Kryeqyteteve Evropiane në Estoni

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, së bashku me zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, Alket Shatro, dhe shefin e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, Klodjan Bilushi, morën pjesë në konferencën e 44-t të Policive të Kryeqyteteve Evropiane, e cila u zhvillua në Tallinn, Estoni.

Gjatë konferencës u diskutuan tema si trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe atyre të luftës, nga grupet e strukturuara kriminale; Rreziqet që lidhen me kalimin e paligjshëm të kufirit nga shtetasit e huaj dhe sfidat për riatdhesimin e tyre; Efektet e shfrytëzimit të teknologjisë në shërbimet e përbashkëta policore; Sfidat për luftën kundër Grupeve te Strukturuara Kriminale dhe Krimit të Organizuar në Evropë; Çështje të tjera të rëndësishme të sfidave të përbashkëta për sigurinë dhe rendin, shkëmbimin e eksperiencave dhe promovimin e praktikave më të mira të bashkëpunimit.

Gjatë konferencës u ofruan mundësi për diskutime dhe u shkëmbyen ide midis delegatëve në nivele strategjike, duke lejuar diskutime mbi çështjet aktuale dhe për të kontribuar në kohezionin, mirëkuptimin e ndërsjellët dhe bashkëpunimin e organizatave të Policisë  Evropiane.

Në mbyllje të konferencës 3-ditore, krerët e policive evropiane, votuan që konferenca e radhës, të zhvillohet në vitin 2026, në Madrid, dhe firmosën një deklaratë të përbashkët.