OKB: Izraeli të ndalojë menjëherë sulmin në Rafah

Pas refuzimit të vendimit nga autoritetet izraelite, Gjykata e lartë e OKB-së urdhëroi Izraelin të ndalojë ‘menjëherë’ sulmin e tij ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah, duke thënë se situata humanitare në territorin palestinez ishte katastrofike.

Vendimi i lexuar me zë të lartë nga gjyqtari Nawaf Salam në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë ishte në përgjigje të një kërkese urgjente të paraqitur nga Afrika e Jugut.

Afrika e Jugut e justifikoi kërkesën e saj në GJND duke argumentuar se masat e mëparshme të gjykatës në lidhje me luftën e Gazës ishin të papërshtatshme.

Izraeli e hodhi poshtë vendimin e së premtes.

“Akuzat për gjenocid të ngritura nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë janë të rreme, të egra dhe moralisht të neveritshme”, tha kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në një deklaratë të përbashkët.

“Pas sulmit të tmerrshëm kundër qytetarëve të Izraelit më 7 tetor 2023, Izraeli filloi një luftë mbrojtëse dhe të drejtë për të eliminuar Hamasin dhe për të siguruar lirimin e pengjeve tanë”, sipas deklaratës.

“Izraeli po vepron bazuar në të drejtën e tij për të mbrojtur territorin dhe qytetarët e tij, në përputhje me vlerat e tij morale dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare”, thuhet në deklaratë.

“Izraeli nuk do të kryejë veprime ushtarake në zonën e Rafahut, të cilat mund t’i shkaktojnë popullatës civile palestineze në Gazë kushte jetese që mund të çojne në shkatërrimin e saj fizik tërësisht ose pjesërisht”, sipas deklaratës.

Në deklaratë Izraeli zotohet se do të vazhdojë përpjekjet e tij për të mundësuar ndihmën humanitare dhe se do të veprojë, në përputhje të plotë me ligjin, për të reduktuar sa më shumë që të jetë e mundur dëmin e shkaktuar ndaj popullatës civile në Gazë.