Izraeli kufizon shërbimet diplomatike me Spanjën pas vendimit për njohjen e Palestinës
Dy ditë pasi Spanja njoftoi qëndrimin e saj për të njohur Palestinën si një shtet të pavarur, Izraeli ka vendosur kufizime në punën e diplomatëve spanjollë në vend.
“Ambasada spanjolle në Tel Aviv dhe Konsullata e Përgjithshme Spanjolle në Jerusalemin Lindor në të ardhmen do të ndalohen të ofrojnë shërbimet e tyre për palestinezët nga Bregu Perëndimor i pushtuar nga Izraeli”, njoftoi sot ministri i Jashtëm Israel Katz në platformën X.
Katz e justifikoi masën duke treguar një deklaratë të zëvendëskryeministres së Spanjës, Yolanda Díaz, të cilën ai e kategorizoi si antisemite.
“Në përgjigje të njohjes së shtetit palestinez nga Spanja dhe thirrjes antisemite të zëvendëskryeministres spanjolle për të njohur jo vetëm shtetin palestinez, por edhe për të ‘çliruar Palestinën nga lumi deri në det’, kam vendosur të shkëpus lidhjen mes përfaqësimit të Spanjës në Izrael dhe palestinezëve”, tha ai.
Në një fjalim të shpërndarë në X, Díaz përdori sloganin kontrovers: “Palestina do të jetë e lirë nga lumi deri në det”.
Sipas saj duhet të ketë një Palestinë të lirë nga lumi Jordan deri në Detin Mesdhe – që përfshin zonën ku ndodhet Izraeli.
Díaz i përket aleancës elektorale të krahut të majtë Sumar, një partner i vogël koalicioni i kryeministrit Pedro Sanchez.
Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njoftuan të mërkurën se do të njohin shtetin e pavarur palestinez në fund të majit. Izraeli reagoi me indinjatë ndaj këtyre njoftimeve.
Një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez parashikon një shtet të pavarur palestinez që ekziston në mënyrë paqësore krah për krah me Izraelin.
Netanyahu ka kundërshtuar zgjidhjen me dy shtete, ashtu si edhe Hamasi.

