GJYSMA E BOTËS, PA LIRI FJALE/ Raporti: Përkeqësim 20 vitet e fundit, reduktim i lirive në gjysmën e vendeve
Një studim i ri britanik ka nxjerrë në pah se gjysma e popullsisë së botës nuk mund të shprehet lirisht për shkak të politikave shtrënguese, duke ngritur alarmin për zbatimin e të drejtave të njeriut
Gjysma e popullsisë së botës nuk mund ta shprehë lirisht mendimin e saj, vlerëson një studim i ri mbi lirinë e shprehjes.
Në raportin vjetor, grupi i avokatëve ‘Neni 19’ zbuloi se numri i njerëzve që përballen me një krizë në lirinë e fjalës dhe informacionit ishte më i larti këtë shekull, pas një rritjeje drastike nga 34% në 2022 në 53% një vit më vonë.
Autorët kanë ngritur alarmin veçanërisht nga përkeqësimi në Indi gjatë 10 viteve të fundit, nën sundimin e kryeministrit Narendra Modi , duke ndryshuar klasifikimin e tij nga "i kufizuar" në "krizë".
Liria e shprehjes dhe e informacionit atje është në nivelet më të këqija, me qytetarët të paaftë për t'u shprehur lirisht ose për të shprehur kundërshtimin pa ndëshkim, dhe media censurohet dhe sulmohet.
“20 vitet e fundit gjithmonë e më shumë u janë mohuar njerëzve përfitimet e shoqërive të hapura, si aftësia për të shprehur opinione, për të aksesuar një media të lirë apo për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të hapura,” u shpreh drejtori ekzekutiv i organizatës.
“Shkeljet e lirive ndodhin çdo ditë në mbarë botën, pasi liderët i reduktojnë të drejtat tona nga dita në ditë përmes ndryshimeve delikate të politikave të paraqitura në emër të 'sigurisë publike', 'moralit' ose 'sigurisë kombëtare', duke e shtrënguar rrjetën derisa të mos mbetet më vend për të marrë frymë”, shtoi ai.
Etiopia u riklasifikua si në "krizë", ndërsa 8 vende të tjera panë gjithashtu një përkeqësim të lirive vitin e kaluar, duke përfshirë Burkina Fason , Senegalin dhe Mongolinë.
Por teksa studiuesit ankohen për gjendjen e lirisë së shprehjes globalisht, raporti ishte shpresëdhënës për përmirësimet në Brazil që kur Jair Bolsonaro u votua nga pushteti, duke e klasifikuar vendin tani si "të hapur" pasi më parë e kishte etiketuar "të kufizuar".


