BE MIRATON LIGJIN PËR IA/ Marrëveshja e përkohshme politike u arrit në dhjetor
Rregullat e reja për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në Bashkimin Europian do të hyjnë në fuqi nga muaji I ardhshëm. Blloku hodhi një hap para duke miratuar paketën të martën.
Bashkimi Europian ka miratuar të martën paketën me rregullat historike mbi përdorimin e inteligjencës artificiale, duke u shndërruar në fuqinë e parë botërore që merr një iniciativë të tillë.
Vendet anëtare e kishin arritur marrëveshjen e përkohshme politike që në dhjetor, duke vendosur një pikë referimi të mundshëm global për një teknologji të përdorur në biznes dhe jetën e përditshme dhe pritet të hyjë në fuqi muajin që vjen.
Akti i Inteligjencës artificiale miratuar nga BE është më gjithëpërfshirës sesa qasja e pajtueshmërisë vullnetare në SHBA, ndërsa qasja e Kinës synon të ruajë stabilitetin social dhe kontrollin shtetëror.
Shqetësimet që lidhen kryesisht me dezinformimin, lajmet e rreme dhe materialet me të drejtë autori janë intensifikuar globalisht muajt e fundit mes popullaritetit në rritje të sistemeve gjeneruese.
Me rregullat e reja, qeveritë mund të përdorin mbikëqyrje biometrike në kohë reale në hapësirat publike vetëm në rastet e viktimave të krimeve, parandalimin e kërcënimeve, si sulmet terroriste dhe kërkimet për personat e dyshuar për krimet më të rënda.
Konsumatorët do të kenë tashmë të drejtën për të nisur ankesa dhe për të marrë shpjegime ndërsa gjobat për shkeljet do të variojnë nga 7.5 milionë euro në 35 milionë euro.
Legjislacioni i ri do të ketë një ndikim përtej 27 vendeve, pasi kompanitë jashtë bllokut do të duhet të pajtohen për përdorimin e të dhënave të klientëve evropianë.


