Ballanca: Numër i lartë i të paraburgosurve në burgjet shqiptare
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca deklaroi sot se, 60% e popullatës së burgjeve janë të paraburgosur.
Në fjalën e saj në seancën dëgjimore për Raportin Vjetor të veprimtarisë së Avokatit të Popullit gjatë vitit 2023, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ballanca ngriti shqetësimin për situatën në burgje dhe mbipopullimin.
Ballanca tha se problem është edhe ushqimi në burgje, ndërsa mori si shembull të dënuarit në 41 Bis.
“Ka pamjaftueshmëri për të burgosurit në sistemin 41 bis. Në ’41 bis’ është e ndaluar futja e ujit dhe ushqimeve. Lehtësisht u provua se ranë në peshë dhe humbën brenda 2 muajve nga 10 kg dhe apo më shumë.
Nëse nuk ndihmohen nga familjarët me ushqime është pamundur për sistemin penitenciar. Kjo krijon problematike. Kemi kërkuar që të përmirësohen kushtet”, tha Ballanca.
Ballanca tha se, Shqipëria ka numrin më të lartë të të burgosurve për frymë.
Sipas Ballancës, problem mbetet fakti që në vendin tonë jepet në shumë raste masa më e ashpër e sigurisë, ajo e arrestit me burg.
“Në Shqipëri ka numër të lartë të të paraburgosurve. Kemi numër tmerrësisht të lartë të paraburgimit.
Këshilli i Europës thekson se personat që janë dënuar me burg përjetë nuk kanë shpresë që nëse sillen mirë, do të mund të dalin ndonjë ditë nga burgu. Çështjet e të drejtave të njeriut duhet të avancojnë në Shqipëri”, theksoi ajo.
“Gjithmonë ka vend për përmirësim në lidhje me cilësinë dhe garantimin e kushteve brenda sistemit penitenciar. Ne kemi pasur një problematikë në paraburgim.
Mbipopullimi sot është vetëm në paraburgim. Numri ka kaluar 60% të popullatës së burgjeve që janë të paraburgosur”, shtoi Ballanca.
Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi gjatë raportimit të Avokates së Popullit, Erinda Ballanca kërkoi angazhim konkret në funksion të caktimit të minimumit jetik, për t’iu ardhur në ndihmë më të pamundurve.
“Ne si opozitë kemi bërë një propozim për minimumin jetik. Do të doja angazhimin e Avokatit të Popullit, ndoshta takime, emisione televizive për këtë.
Është çështje shqetësuese për ata që i prek, por edhe shtresa tjetër që sheh në rritje shtresën e varfërisë dhe pamundësisë së jetesës dinjitoze”, tha Çupi.
Ballanca tha se, i takon Kuvendit që të miratojë formulën se si mund të implementohet.
“Kemi bërë raportin e fundit për minimumin jetik në vitin 2019. Të dhënat ndryshojnë vit pas viti.
Nuk kemi pasur ndryshime të reja negative për të bërë një raport tjetër. Parlamenti duhet të miratojë formulën si do të llogaritet minimumi jetik.
Në vitin 2019 ne kemi pasur një vlerë mesatare të minimumit jetik për qytetar 17 875 lekë, nëse kjo vlerë llogaritet vetëm me inflacionin e pranuar dhe të publikuar nga INSTAT do të shkonte në 21 039 lekë”, tha Ballanca.
