Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Vendet duket se po shkojnë drejt një pajtueshmërie sa i përket tekstit përfundimtar për rezolutën e Genocidit të Srebrenicës.

Ambasadori i Bosnje-Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Zllatko Llagumxhija bëri të ditur se paraprakisht është arritur një dakordësi , ku janë bërë edhe disa ndryshime nga propozimi fillestar.

“Ne kemi qenë të heshtur ndaj mohuesve të gjenocidit, teksa ata kanë festuar dhe kanë ‘caktuar’ e më pas ‘anuluar’ mbledhje joekzistente të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Si dhe bënin vlerësime për ‘Rezolutën e gjenocidit në Srebrenicë më 1995’, para se ta lexonin dhe para se të finalizohej teksti. Srebrenica e ka marrë vëmendjen globale në muajt e fundit – si simbol i luftës për drejtësi, si simbol i luftës kundër mohimit të gjenocidit.” shkruan Llagumxhija në një postim në X.

Sipas Radio Evropës së Lirë, ndryshimet përfshijnë vendosjen e shprehjes “sipas të drejtës ndërkombëtare”, si dhe të disa të tjerave, si “jokolektive” është zëvendësuar me “individuale”.

Gjithashtu, në tekst përmendet se “përgjegjësia kriminale, nën ligjin ndërkombëtar, për krimin e gjenocidit, nuk mund të aplikohet ndaj asnjë komuniteti etnik apo fetar në tërësi”.

Ambasadori tha se rishikimi final i rezolutës, do të prezantohet para të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara më 23 maj.

Deri më tani Mali i Zi kërkon edhe disa ndryshime, ndërsa Serbia e kundërshton duke e cilësuar politike.
Nisma është iniciuar prej Gjermanisë dhe Ruandës, e cila kërkon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare për Kujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë.

Në korrik të vitit 1995 të paktën 8 mijë burra dhe djem muslimanë u vranë nga ushtria se Serbisë në rajonin e Srebrenicës. Kjo ngjarje konsiderohet si më e rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe për të janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burgim gjithsej.

Në mesin e tyre ishte edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq.