Panairi i Punës dhe Karrierës 2024, një dritare mundësish për të rinjtë në Fakultetin e Biznesit, UAMD
Fakulteti i Biznesit pranë Universitetit "Aleksandër Moisiu" shënoi një tjetër sukses me zhvillimin e "Panairit të Punës dhe Karrierës 2024".
Ky aktivitet vjetor, i cili mbajti edicionin e tij të katërt, synon të ndërtojë ura lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës, duke sjellë së bashku institucionet shtetërore, sipërmarrjen private dhe talentet e reja.
Dekani i Fakultetit të Biznesit, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi rëndësinë e përshtatjes së kurrikulave akademike me nevojat e vazhdueshme të tregut të punës.
Gjithashtu, Fortuzi vlerësoi rolin e panairit në ofrimin e mundësive të praktikave profesionale dhe punësimit për të rinjtë.
Panairi u nderua me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara si znj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit, znj. Emiriana Sako, Kryetare e Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të biznesit dhe akademisë.
Panairi ofroi mundësi të shumta për studentët përmes 160 bizneseve të pranishme që hapën dyert për trajnime, praktika dhe mundësi punësimi.
Rreth 300 aplikime për punë u dorëzuan, dhe u lidhën 50 kontrata pune për pozicione part-time.
Gjithashtu, u shpërndanë 9 bursa studimi në fushën e hotelerisë dhe turizmit, duke dëshmuar angazhimin e Fakultetit për të mbështetur arsimimin dhe karrierën e studentëve.
Ky panair tashmë është bërë një traditë që premton të rrisë ndikimin dhe të ndërtojë më shumë ura midis akademisë dhe tregut të punës, duke siguruar që studentët të jenë gati për sfidat e ardhshme profesionale.
