Skandali i 5D/ Berisha: U rrafshuan pallate dhe banesa më shumë se tërmeti, vetëm e vetëm për të vjedhur 100 % paratë e ndërtimit të tyre

Nga dritarja e banesës ku qëndron i izoluar prej 30 dhjetorit 2023, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi atë që ai e cilësoi si skandali i vjedhjes nga drejtorët e Bashkisë së Tiranës përmes kompanisë "5D".

Berisha tha se u rrafshuan pallate dhe banesa më shumë se tërmeti vetëm e vetëm për të vjedhur 100 përqind paratë e ndërtimit të tyre.

Pjesë nga fjalimi i Berishës

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme. Përulem me nderimin më të madh para sakrificës, guximit, qëndresës tuaj misionarë të vërtetë.

Të dashur miq, me guximin tuaj, mençurinë dhe dinjitetin, ju krijuat parlamentin e fjalës së lirë, të vërtetave të mëdha të shqiptarëve.

Ju krijuat tribunën më të fuqishme të denoncimit të vjedhjeve të shqiptarëve në historinë e tyre. Tribunën e denoncimit të vjedhjeve të Edi Ramës, ministrave, zyrtarëve të tij si makutë të paparë, të pangopur.

Krijuat tribunën e denoncimit, e aktakuzave ndaj një bande, armike e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një bande që ka vendosur mbi shqiptarët tiraninë e varfërisë të bazuar në vjedhjen e tyre.

Miqtë e mi, prej 2 muajve çdo ditë denoncohen me fakte, dokumente vjedhja 100 përqind e taksave të shqiptarëve nga Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës.

Kjo vjedhje është vërtet e pashembullt, sepse ata zgjodhën të kalojnë direkt në kontot e tyre haptas vëllezërve dhe sojit të tyre paratë e prokurimeve publike të Bashkisë së Tiranës.

Këta mafiozë të pashpirt, këta mafiozë të zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore, futën buldozerët dhe minat pas tërmetit në Tiranë. Rrafshuan pallate dhe banesa më shumë se tërmeti vetëm e vetëm për të vjedhur 100 përqind paratë e ndërtimit të tyre.

Sepse ndërtimi bëhej me kompani të tjera që shpërbleheshin me leje ndërtimi. Kurse paratë e fondit merreshin nga kompanitë e tyre. Po kjo ngjarje e pashoqe kishte edhe anën tjetër. Vidhnin me inertet dhe dherat e ndërtesave të rrënuara.

Ata, në dhjetëra e dhjetëra tendera rezulton se kanë vjedhur 38 milionë euro. Por kjo është maja e ajsbergut. Ndaj dhe motoja jonë është: në sulm, në sulm, në sulm!

Miqtë e mi, vjedhjet e tyre janë makabritet. Ato bazohen në mjerimin e tejskajshëm të dhjetëra dhe qindra familjeve të Tiranës. Por vjedhja e shekullit është vjedhje shekulli. Është 100 përqind dhe shumë më tepër.

Të dashur miq, një ditë kryehajni i Tiranës me përfaqësuesit e tij kërkon t’i japë në komision një kompanie 8 pikë në avancë. Por çfarë ishte kjo kompani? Duhet të ndalet çdo qytetar të pyesë veten, çfarë ishte kjo kompani?

Kjo kompani nuk ekzistonte e regjistruar në regjistrin e kompanive. Kjo kompani nuk kishte bilanc. Kjo kompani nuk kishte vendndodhje. Nuk kishte seli. Nuk kishte pronar. Nuk kishte administrator.

Dhe megjithatë, ky hajdut i shpërfytyruar zgjedh këtë kompani për t’i dhënë 8 përqind. Po pse kjo? Sepse pronari i saj ishte Erion Veliaj. Sepse selia e saj ishte Bashkia e Tiranës. Sepse bashkëpronari i saj ishte Edi Rama.

Prandaj o miq u zgjodh kjo kompani, në vrimat e të zeza të cilës janë zhdukur pa nam e nishan 130 milionë euro. Pronari i saj është Erion Veliaj. Pronari i saj është Edi Rama.

Dhe gjer sot, Dumani i partisë nuk ka asnjë hetim për kompaninë që nuk ekzistonte, për bonusin 8 pikësh për 135 milionë euro që nuk ekzistojnë.

Qytetarë dhe qytetare, pra Edi Rama që erdhi i damkosur si mister 20 përqindëshi, si njeriu që sipas raportit të OSBE-së kishte vendosur në bankat offshore gjatë periudhës që ka qenë kryetar bashkie 200 milionë euro, tani vazhdoi të çojë paratë e qytetarëve me Erion Veliaj në bankat offshore, t’i zhdukë ato në parajsën e tij.

Por në qoftë se këto janë vjedhje 100 përqind, e vërteta është se vjedhjet në Shqipëri gjatë këtyre viteve janë edhe 400, edhe 700, edhe 1200 përqind me vlerën dhe kostot e objekteve.

Të pangopur dhe të pashpirt, këta në vitin 2021 shpenzuan 30 milionë euro për një km autostradë nga Iba në Farkë. Shpenzuan 30 milionë euro për një km rindërtim tek sheshi Shqiponja.

Ndërkohë autostrada 27 metra e gjerë Manastir- Bjeli Osek në Kroaci u ndërtua sipas standardeve të BE me 1.3 milion euro.

Miq, përveç guximit tuaj, përveç zemërimit tuaj, përveç revoltës suaj dhe vullnetit të Zotit, Shqipërinë nuk e shpëton asgjë tjetër. Prandaj dhe kjo javë përgatit betejën vendimtare.

Erion Veliaj, je i marrë fund. Dorëhiqu dhe shko vetë te 313-a. Shko se je hajduti më i shpërfytyruar që ka njohur kryeqyteti në historinë e tij. Revolta dhe zemërimi i popullit do të bjerë me forcën më të madhe mbi ty.