Yzeiraj: Krijimi i bazës së të dhënave të pronave shtetërore dhe publike prioritet për Qeverinë
Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat vijoi diskutimi për nismën ligjore të propozuar nga deputeti socialist, Eduard Shalsi për një ndryshim në aktin normativ “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”.
Nisma ka për qëllim kalimin e kryerjes së procedurave të cilat lidhen me administrimin e pronës shtetërore, përfshirë shitjen e saj, në kompetencë të ministrisë përgjegjëse për ekonominë.
Kjo, sipas deputetit Shalsi, do të sjellë minimizimin e kostove të buxhetit të shtetit dhe rritjen e efikasitetit të procesit.
Gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, Komisioni i Ligjeve bëri disa propozime ndër të cilat përjashtimin e kontratës së dhurimit si formë e privatizimit si dhe rregullimin e procedurës së shitjes së pronës shtetërore në rastin e investimeve në turizëm, kur është dhënë me qira dhe janë plotësuar kushtet e privatizimit.
Deputetja Blerina Gjylameti, relatore e projektligjit propozoi vendosjen në ligj të detyrimit të mbulimit të shpenzimeve nga investitori për shembjen e objekteve në toka shtetërore.
“Deri tani shembja e objekteve në tokat shtetërore për të cilat është parashikuar një plan zhvillimi është bërë pa një legjislacion që e rregullon këtë proces në mënyrë specifikë, por bazuar në legjislacionin për rregullimin e territorit. Do të ishte mirë që në këtë rast të parashikohet në ligj dhe në aktet nënligjore që shpenzimet e shembjes të mbulohen nga investitori, në mënyrë që institucioni që ka pasur në pronësi objektin të mund të arkëtojë këtë vlerë“, tha Gjylameti.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku kërkoi që pronat publike pa pronar të vendosen për administrim nga a Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave. Ndërsa në rastin kur këto do të shiten, fondet të vendosen në administrim po nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Endrit Yzeiraj tha se krijimi i databazës së pronave shtetërore dhe publike dhe dixhitalizimi i tyre, ka për të qenë një nga prioritet në 3-4 vitet që vijnë të administratës, kërkesë kjo, sipas tij, edhe e Bashkimit Europian.

