Sejko qetëson: Norma e interesit për lekun nuk ndryshon, 3.25%
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për garantimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, ndaj vendosi sot të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, për lekun në nivelin 3.25 %.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko u shpreh sot në konferencën për mediet se gjithashtu mbeten të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 2.25 % dhe 4.25 %.
“Këshilli Mbikëqyrës vëren se qëndrimi aktual i politikës monetare është në përputhje me pritjet tona të skenarit bazë”, tha Sejko.
Guvernatori theksoi se vendimet e politikës monetare do të orientohen drejt respektimit të objektivit të BSH-së për stabilitetin e çmimeve dhe rritjen ekonomike.
“Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Megjithatë, presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten ende relativisht të larta. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit”, tha Sejko.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh sot në konferencën për mediet se, aktiviteti ekonomik projektohet të vijojë të rritet, si në horizontin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm, i mbështetur nga zgjerimi i turizmit, investimeve private dhe konsumi.
Sejko bëri të ditur se, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë. Teksa vuri në dukje se, zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime e mban ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit.
Kjo ecuri, vijoi ai, është pasqyruar në rritjen e vazhdueshme të punësimit, në nivelet minimale historike të normës së papunësisë, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave në sektorin privat. Zgjerimi i punësimit dhe pagave ka vijuar të mbështesë rritjen e konsumit në ekonomi, por nga ana tjetër ai mban të larta edhe presionet e brendshme mbi inflacionin.
“Analiza e të dhënave të disponuara sugjeron se ekonomia shqiptare ka lëvizur në kahun e pritur. Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit, inflacioni ka vijuar të bjerë, tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje progresive. Normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka kontribuar pozitivisht në këtë ecuri, nëpërmjet kontrollit të presioneve të brendshme inflacioniste dhe garantimit të funksionimit normal të tregjeve financiare”, tha Guvernatori.
Sejko deklaroi se, përditësimi i parashikimeve të BSH-së sugjeron se këto trende pozitive zhvillimi do të vijojnë edhe në të ardhmen. Vëllimi i aktivitetit ekonomik do të vijë në rritje gjatë vitit 2024 e në vazhdim, ndërsa inflacioni do të luhatet rreth niveleve aktuale gjatë dy tremujorëve të ardhshëm dhe do të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë tremujorit të fundit.
Referuar statistikave, Guvernatori bëri të ditur se, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.4% gjatë vitit të shkuar, duke shënuar një përmirësim në 3.8% të ritmeve të rritjes në gjysmën e dytë të tij. Po ashtu, ritmi i rritjes së kredisë bankare ka ardhur në përshpejtim gjatë tremujorit të parë, duke regjistruar një nivel mesatar prej 11.6%.
Bazuar në sa më sipër, tha Sejko, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për garantimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm. Ndërsa inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale në horizontin afatshkurtër dhe të kthehet gradualisht në objektiv brenda harkut kohor të një viti.


