Rezoluta e PS-së, Basha: Të votohet ligji për vetingun e politikanëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha sot se Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, u përpoq për dy orë të mbulonte të vërtetën e korrupsionit që ka prekur qeverisjen e tij 11-vjeçare.

Sipas Bashës, rezoluta e propozuar nga PS është barcaletë, teksa shtoi se parlamenti duhet të kalojë ligjin për vetingun e politikanëve, që 200 politikanët më të rëndësishëm të vendit të kalojnë procesin e vetingut.

“Dy orë për t’i mbushur mendjen shqiptarëve, se pas 11 vite qeverisje ekonomia e tyre, kostoja e jetesës, shanset për punësim të rinisë, rrogat e ulëta, gjendja e mjerueshme e shëndetësisë së premtuar falas dhe përgjysmimi i vendit në këto 11 vite, nuk janë përgjegjësi as e Edi Ramës, as qeverisë së tij ”, tha Basha.

“E pra, për këtë Edi Rama nuk i njeh vetes së tij asnjë përgjegjësi, as politike dhe as ligjore. 2 orë fjalë pa fund, për të shpjeguar sikur të ishte dyorëshi i parë i qeverisjes së tij dhe jo fundi, muzgu i 3 mandateve se pse fajin për korrupsioni nuk e ka Edi Rama, nuk e ka qeveria, por e ka sistemi. Dhe për të premtuar sërish njësoj si para 12 vitesh, një sistem tjetër, një sistem i cili do të luftojë korrupsionin dhe do të mundësojë kaq e kaq të mira për shqiptarët dhe për Shqipërinë”, shtoi Basha.

“E vërteta është se korrupsioni po merr goditjet e para pikërisht për shkak të SPAK, këtij produkti të çmuar për çdo shqiptar që të gjithë e dimë që sot kundërshtarë kryesor në punën e tij, ka pikërisht ekzekutivin, partinë në pushtet. Ndërkohë që korrupsioni pranohet si problemi kryesor, Edi Rama shfajësohet duke thënë që denoncimi i tij nuk mund të jetë detyrë kryesore e shtetit. Nuk mund të jetë detyrë kryesore e tij apo e ministrave të tij. Në fakt e kundërta është e vërtetë, nuk ka detyrë më të rëndësishme për kryeministrin, për ministrat sesa të luftojnë korrupsionin”, u shpreh Basha.

“Dhe pasi janë kapur në flagrantë në dhjetëra afera, papritur na ofrojnë rezolutë për të luftuar korrupsionin. Rama erdhi në pushtet duke premtuar se do të luftojë korrupsionin, ndërsa sot Shqipëria është zhytur në korrupsion tepër të madh. Qeveria të votojë ligjin për vetingun për politikanët. 200 politikanët kryesorë të vendit të vihen në veting, të hetohen kontaktet e tyre dhe pasuria”, tha Basha.

Basha po ashtu shtoi se parlamenti duhet të votojë edhe propozimet e PD për mbështetjen e SPAK.