Rama mesazh para protestës: Kushdo që ka ngatërruar punët e shtetit me korrupsionin, të mbajë përgjegjësi vetë.  As unë e as PS-ja ...

Pak minuta nga nisja e protestës në sheshin para bashkisë së Tiranës të thirrur nga opozita si pasojë hetimeve të SPAK për drejtuesit më të lartë të këtij institucioni të akuzar për vjedhje dhe abuzime me tenderat përmes kompanisë “5D”, kryeministri Edi Rama ka dalë me një mesazh të qartë.

“Kushdo që nuk është zgjedhur në krye të bashkisë apo punon në nivele nëse fut duart në arkën e këtij shteti nuk është ne. Nuk ka si të jetë ‘ne’ dhe as kurrsesi të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes

Çdo anëtar ri kësaj familje që bën korrupsion me funksion publik është një tradhtar i dyfishtë , jo vetëm i popullit shqiptar si çdo hajdut me kostum që merr çfarë nuk është e tija, por edhe i PS si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet. Kur një i tillë zbulohet nga drejtësia, i hidhur është fakti që e kishim mes nesh, por lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë është shumë i mirë.

I dëgjoj kur thonë hajdut i Ramës, ja kapën këtë ministër, ja rasën brenda këtë kryetar bashkie. Një tam tam i përditshëm për të shurdhuar popullin.

Unë kam punuar me 40 ministra dhe të gjithë e kanë dëgjuar prej meje që ditën e parë të punës se kush lufton për qëllime të përbashkëta ka mbështetjen time në çdo hap.

Më kanë krah kurdoherë që do sulmohet për përpjekjet që bën në llogoren e përbashkët, por kush gabon duke kujtuar se mund të bëjë një rrugë e dy punë nga njëra anë duke luftuar me mua dhe PS për të mirën e shtetit dhe nga ana tjetër duke punuar fshehurazi për xhepin nuk do me këtë në krah as mua as PS, por vetëm avokatin para drejtësisë.

Qeveritë e mia kanë ndryshuar, ministrat kanë ndryshuar, por kjo devizë nuk ka ndryshuar sa të jem unë. Jo po PS duhet të mbajë njerëzit e tij, nuk duhet ti lëshojë! Jo, unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël në ndonjë shkëmb të lartë mbi det kur do të hidhet. Por nuk mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur vjen ora të thirret. Jo po nuk kam bërë asgjë, po më bien në qafë.

Nëse nuk ke bërë asgjë nuk të mbaj as unë as PS, por e vërteta. Prandaj lufto për të vërtetën tënde. Sepse kjo parti dhe kjo qeveri nuk bëjnë asnjë koment për çështjet që hap SPAK. Jo më avokatin e një drejtori, kryebashkiaku, ministri, deputeti apo ish ministri”, deklaroi Rama.

Ndërkaq, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se edhe Partia që ai drejton ende nuk e ka fituar imunitetin ndaj korrupsionit.

Sipas kryeministrit Rama, pagat e larta të organeve të drejtësisë është një anomali, por e bërë me vetëdije për të fuqizuar luftën kundër korrupsionit.

Rama po ashtu pranoi që edhe dikasteret qendrore apo bashkitë janë të arritshme nga oferta e korrupsionit, madje ndonjëherë edhe gjunjëzohen.

“Drejtuesit e organeve të drejtësisë qëndrojnë në majë të pagave të shtetit. Vetë fakti që sot prokurorët dhe gjykatësit janë individët më të paguar përben një anomali absolute. Ne e kemi krijuar këtë anomali me vetëdije të plotë për të fuqizuar përpjekjen anti-korrupsion me një armë të re ofensive që Shqipëria nuk e kishte më parë

As korrupsioni nuk është mundur ende si një fenomen shqetësues as forca jonë qeverisëse nuk e ka fituar imunitetin ndaj korrupsionit.

Edhe pse kemi pastruar jo pak nga kanalet e vatrave kancerogjene, ka shumë akoma për të pastruar edhe brenda vetë partisë tonë mbetet shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit

Dikasteret tona qendrore dhe institucionet e varësisë, bashkitë dhe agjencitë e pavarura, përfshirë mediat, biznesin dhe pushtetin gjyqësor janë të arritshme nga oferta e korrupsionit. Janë të prekshme nga duart e korrupsionit dhe nganjëherë janë të gjunjëzuar ndaj korrupsionit.

Korrupsioni mori terren të jashtëzakonshëm në 23 vitet e para. Shtet bërja ecte me hapat e breshkës ndërsa korrupsioni me hapat e breshkës”, tha Rama.