Greqia “nuk e harron” Belerin/ Eurodeputeti grek takon në burg të zgjedhurin e Himarës

Eurodeputeti grek Manolis Kefaloyannis së bashku me deputetin Vangjel Dule vizituan Fredi Belerin. Në një deklaratë për mediat pas vizitës, Dule u shpreh se Fredi Beleri është burgosur pa të drejtë dhe se drejtësia është e kapur nga qeveria.

Athina i ka ende sytë nga Fredi Beleri. Këtë të hënë, eurodeputeti Grek, Manolis Kefaloyannis vizitoi të zgjedhurin e Himarës në burgun e Fierit, ku po vuan dënimin për blerje votash.

Gjatë vizitës së tij, u shoqërua nga deputeti i PBDNJ-së Vangjel Dule. Në një deklaratë për mediat, pas vizitës, Dule vijoi me akuzat për dënim politik.

“Në kuadër të ditëve të festës së madhe të Pashkës Ortodokse vizituan me eurodeputetin dhe njëherësh kryetarin e grupit parlamentar të BE për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit  BE-Shqipëri, zotin Kefalojanis, mikun tonë, kryetarin e bashkisë së Himarës, kandidatin për eurodeputet, Fredi Beleri.

Ishte vizitë për të shkëmbyer urime, por edhe për të dëshmuar vazhdimin e përpjekjes tonë, në vendin tonë, por edhe në Evropë për gjetjen e të vërtetës dhe të së drejtës.

Zoti Kefalojanis është e katërta herë që viziton Belerin, dëshmi kjo e interesit të vazhdueshëm jo vetëm brenda vendit, por edhe në nivele evropiane për këtë çështje padrejtësie të papranueshme në shkelje flagrante të funksionimit të shtetit të se drejtës të demokracisë funksionale dhe të mëvetësisë së pushtetit vendor në vendin tonë, që në mënyrë të papranueshme janë bërë objekt shkelje në rastin e Fredi Belerit”, u shpreh Vangjel Dule.

Eurodeputeti i Greqisë nuk pranoi ti përgjigjej pyetjeve të mediave.

Kefaloyannis e nisi vizitën e tij të dielën në Tiranë ku mori pjesë në meshën e shenjtë në Katedralen Orthodhokse të Ngjalljes së Krishtit për festën e Pashkëve.

Vizita e tij do të vijojë me takime me përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri.

Vetëm 3 muaj më parë në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri ishte Kefaloyannis si i deleguari i Greqisë ai debatoi me kryediplomatin shqiptar pikërisht për çështjen “Beleri”.