VIDEO/ Xhixho: Ja pamjet e Sarandës “së rrënuar”! Pak ditë para sezonit turistik, qeveria s’ka përmirësuar dot infrastrukturën

Kur kanë mbetur pak ditë para çeljes së sezonit të ri turistik, “kryeqyteti i turizmit”, Saranda shfaqet si mos më keq.

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përmes rrjeteve sociale, sjell gjendjen e amortizuar të rrugëve të këtij qyteti

“Kjo është gjendja e rrugëve në Sarandë vetëm pak ditë para nisjes së sezonit të ri turistik. 

Rrugët e hapura, plot inerte, kaosi i trafikut, zhurmat dhe pluhurat janë panorama që pret turistët e parë të këtij sezoni në jug të Shqipërisë.

Shqipëria përfitoi 4.2 miliardë euro nga turizmi sezonin e kaluar, por qeveria nuk ka përmirësuar dot infrastrukturën për të pritur turistët e rinj, por i çoi paratë për koncensione, PPP dhe inceneratorë fantazëm

Objektivi për 30 milionë turistë në vit deri në 2030 është i paarritshëm me politikat e kësaj qeverie, që synon turizëm elitar por nuk plotëson dot as kushtet më minimale.

Kjo nuk është fytyra e turizmit elitar që propagandon kryeministri!

Ky është tregues i mungesës së qartë të një strategjie për turizmin dhe i nxitimit për të mbyllur ca punë shpejt e shpejt, sepse qeverisë i intereson të shesë një sukses numrash, qofshin këta turistë apo jo!

Shikoni realitetin që hedh poshtë çdo propagandë!”, shkruan në komentin bashkëngjitur videos, deputetja e PL-së, Erisa Xhixho.